AKTUALITET, 29 September 2026, 21:08

Nis transformimi i Bylisit, BE dhe autoritetet shqiptare nisin punimet për restaurimin e parkut arkeologjik

Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri ka njoftuar nisjen e punimeve për restaurimin dhe konservimin në Parkun Arkeologjik Bylis-Klos, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe autoritetet vendore.

Duke theksuar vlerat e veçanta historike dhe kulturore të Bylisit, Delegacioni i BE-së në Shqipëri bëri të ditur, përmes një njoftimi në rrjetet sociale, se ky investim do të ndihmojë në mbrojtjen e trashëgimisë arkeologjike, ndërsa do të kontribuojë edhe në zhvillimin ekonomik të zonës.

Ambasadorja e BE-së në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, ka vlerësuar historinë dhe bukurinë e Bylisit, duke theksuar mbresat e veçanta që përcjell ky park arkeologjik.

Reagimi i Delegacionit të BE në Shqipëri:

Bylisi është një nga sitet me vlera të veçanta historike dhe kulturore për Shqipërinë dhe Bashkimi Evropian është krenar që mbështet restaurimin e tij.

Sot, së bashku me Ministrinë e Kulturës dhe autoritetet vendore, shënuam nisjen e punimeve civile dhe konservuese në Parkun Arkeologjik Bylis–Klos. Ky investim do të ndihmojë në mbrojtjen e trashëgimisë arkeologjike, duke kontribuar njëkohësisht në zhvillimin ekonomik të zonës.

“Historia dhe bukuria e Bylisit të lënë mbresa të veçanta. Sot nis një projekt i rëndësishëm si për parkun arkeologjik, ashtu edhe për komunitetin përreth. Me mbështetjen e Bashkimit Evropian, siti do të mbrohet më mirë dhe do të bëhet më i aksesueshëm për vizitorët. Besojmë se këto ndërhyrje do të ndihmojnë jo vetëm në ruajtjen e trashëgimisë, por edhe në krijimin e mundësive të reja për punësim dhe zhvillimin e turizmit lokal,” tha Ambasadorja e BE-së, Sofia Moreira de Sousa.