AKTUALITET, 29 September 2026, 22:47

Vrasja e shqiptarit Gjovalin Lazri në Itali, dalin detaje të reja nga ekspertiza balistike

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur në provincën e Cuneos, në Itali, ku humbi jetën 36-vjeçari shqiptar, Gjovalin Lazri.

Sipas rezultateve paraprake të ekspertizës balistike, distanca nga e cila dyshohet se janë kryer të shtënat ka qenë më pak se 14 metra. Për ngjarjen po hetohet 35-vjeçari Roberto Mollo, pronari i banesës ku shqiptari dyshohet se kishte hyrë për të vjedhur.

Gjatë ekspertizës janë gjetur 12 gëzhoja të grumbulluara në një zonë të vetme të banesës. Ky element po analizohet për të përcaktuar pozicionin nga i cili janë kryer të shtënat dhe trajektoren e plumbave.

Ekspertiza balistike zgjati më shumë se pesë orë. Gjatë saj, ekspertët kanë riprodhuar disa herë të shtënën fatale, me seri prej pesë të shtënash, me qëllim që të verifikojnë trajektoret e plumbave dhe përputhjen e tyre me pozicionin ku u gjetën gëzhojat.

Në vendngjarje janë gjetur gjithashtu tre elektrikë dore, njëri prej tyre pranë trupit të 36-vjeçarit shqiptar.

Nga autopsia e kryer më herët ka rezultuar se Lazrin e ka goditur vetëm një plumb. Projektili ka hyrë në pjesën anësore të qafës dhe ka dalë në anën tjetër. Hetuesit po analizojnë edhe pozicionin e saktë të viktimës në momentin kur u qëllua, pasi ai dyshohet se ishte në lëvizje.

Sipas rindërtimit paraprak të hetuesve, Mollo ishte zgjuar nga zhurmat që vinin nga jashtë dhe më pas kishte lëvizur nga kati përdhes drejt ballkonit të katit të parë.

Nga ky pozicion, sipas hipotezës së hetimit, ai ka qëlluar në drejtim të dritave të elektrikëve të personave që ndodheshin në pronë. Një prej plumbave goditi Lazrin në qafë, duke i shkaktuar plagën fatale.

Hetuesit nuk përjashtojnë as mundësinë që plumbi fatal të ketë qenë një rikoshet, pasi mes Mollo-s dhe grupit të personave që ndodheshin në pronë kishte skela, materiale dhe objekte të tjera të një kantieri në ndërtim.

Një tjetër element i rëndësishëm është se trupi i Lazrit u gjet rreth 40 metra larg pozicionit të Mollo-s. Megjithatë, hetuesit po përpiqen të përcaktojnë nëse 36-vjeçari ka rënë menjëherë pasi u qëllua apo ka vazhduar të lëvizë për disa metra.

Në hetim janë përfshirë ekspertë të prokurorisë, të mbrojtjes së Roberto Mollos dhe të familjes së viktimës. Prokuroria e Astit po vijon hetimet për të sqaruar dinamikën e plotë të ngjarjes, ndërsa Mollo është nën hetim për vrasje.

Pas ekspertizës së kryer gjatë ditës, hetuesit pritet të rikthehen në vendngjarje gjatë natës, pa kryer të shtëna, për të verifikuar kushtet e ndriçimit dhe shikimit sa më të ngjashme me ato të natës kur ndodhi ngjarja.

Ngjarja ndodhi në orët e para të 20 shtatorit, kur disa persona dyshohet se hynë në pronën e familjes Mollo.

Pas të shtënave, 35-vjeçari telefonoi vetë numrin e emergjencës 112 dhe njoftoi autoritetet se kishte qëlluar një person, duke pretenduar se kishte vepruar në kushtet e vetëmbrojtjes.

Në hetimin e deritanishëm, prokuroria po shqyrton disa mundësi juridike lidhur me përgjegjësinë e Mollos, ndërsa rezultatet e ekspertizave balistike dhe mjekoligjore pritet të jenë vendimtare për përcaktimin e dinamikës së saktë të ngjarjes.

Hetimi vijon për të përcaktuar rrethanat e plota të vrasjes dhe përgjegjësitë e personave të përfshirë.