AKTUALITET, 19 Gusht 2018, 15:55

Luan në Champions dhe vjen pa problem, Barcelona ka gati planin për transferimin e Pogbasë

Luan në Champions dhe vjen pa problem, Barcelona ka gati planin për

Merkatoja e verës është mbyllur në disa vend të Europës dhe shumë transferim që priteshin të bëheshin gjatë këtyre ditëve, duket se do të shtyhen për merkaton e janarit dhe një ndër to, mund të jetë kalimi i Pol Pogba nga Mançester Junajtid te Barcelona.

Katalanasit insistuan shumë këtë verë për shërbimet e mesfushorit francez, por “djajtë e kuq” ishin të bindur për ta mbajtur atë në “Old Traford”. Problemet në merkato me skuadrat angleze, Barcelona i ka bërë rutinë tashmë pasi si për Suarezin ashtu edhe për Kutinjon ka vuajtur disi për t’i blerë.

Kutinjo mund të jetë shembulli i duhur për Barcelonën për të siguruar Pogban. Mediat spanjolle, shkruajnë se katalanasit po përgatiten për të kaluar në “Camp Nou” Pogban dhe kjo mund të kryhet shumë lehtë në janar, ashtu siç kaloi Kutinjo këtë fillim viti.

Nëse francezi lë për të kuptuar gjatë kësaj periudhe se nuk dëshiron të qëndrojë më në Angli, atëherë Mançesteri do të fillojë të mendojë për të përfituar të paktën vlera monetare nga ai. Rregulli i ri i UEFA-s për Ligën e Kampionëve, e lejon Pogbanë të luajë edhe me një ekip tjetër pavarësisht nëse është aktivizuar apo jo me një ekip të parë.