AKTUALITET, 19 Gusht 2018, 15:51

Ronaldo i theu hundën, Sorrentino: Ishim pranë mrekullisë, por CR7...

Ndeshja hapëse e Serisë A italiane, mes Kievos dhe Juventusit, për pa sa nuk përfundoi me një surprizë në rezultat, por më keq mund të përfundonte në një tragjedi, duke qenë se Ronaldo dëmtoi rëndë portierin e Kievos, Stefano Sorrentino.

Në minutat e fundit, portugezi kishte një përplasje me portierin duke e lënë pa ndjenja në tokë, ndërkohë që ditën e sotme, gardiani veteran ka reaguar me anë të një postimi në rrjetin social “Instagram”. Ai falënderon të gjithë për mesazhet, ndërkohë që ka edhe një përgjigje me humor për Ronaldon.

“Ju falënderoj të gjithëve për mesazhet e dërguara, për mbështetjen dhe dashurinë që treguat për mua. Dje ishim shumë pranë një mrekullie, por në fund Ronaldos ia zuri mirë me mua”, shprehet Sorrentino që ka thyer hundën dhe ka marrë dëmtime të tjera në kokë.