AKTUALITET, 22 Shtator 2018, 18:24

Liverpuli e Siti të pandalshëm, ngec Junajtid

Janë mbyllur shtatë nga dhjetë sfidat e javës së gjashtë në Premier Ligë. Liverpul dhe Mançester Siti kanë “asfaltuar” respektivisht Sauthempton dhe Kardif. Mançester Junajtid është ndalur në barazim mjaft zhgënjyes 1-1 ndaj Uolves, ndërkohë fitore për Bërnlej dhe Leister, të cilët dalin nga kriza.

Të besuarit e Jurgen Klop duken të pandalshëm në këtë fillim sezoni teksa numërojnë 6 fitore në po kaq ndeshje të luajtura. 18 pikë të plota për “The Reds”, të cilët shkëputen të vetëm në krye të renditjes, në pritje të ndeshjes së nesërme, që Çelsi do të zhvillojë në fushën e Uest Hem. Një autogol, mbrojtësi Matip dhe Salah në fund të pjesës së parë e bënë skuadrën e Klop të shkonte në pushim me rezultatin 3-0.

Ndërkohë Siti i Guardiolës duket se ka lënë pas humbjen e befasishme që pësoi në Champions ndaj Lion, duke mundur pa probleme në transfertë Kardif. Aguero hapi serinë e golave për “Citizens”, të cilët më pas brenda 9 minutash shënuan dhe 2 herë të tjera me Bernardo Silvën dhe Gyndogan. Në pjesën e dyte ishte momenti i Riad Mahrez, i cili erdhi nga stoli dhe shënoi një dygolësh për të mbyllur çdo gjë në 0-5.

Krejt e kundërta në kampin e Mançester Junajtid. Ekipi nga “Old Traford” është ndalur në një barazim 1-1 ndaj Uolves, që padyshim ka zhgënjyer të gjithë të pranishmit në teatrin e ëndrrave.