TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
A do ta thyejë Shqipëria “mallkimin” Bjellorusi?
Shqipëria dhe Bjellorusia do të përballen të mërkurën në “finalen” e Grupit 4 të Ligës C në Ligën e Kombeve, me synime të qarta për ta mbyllur në krye këtë fazë të kompeticionit.
Edhe pse Kuqezinjtë fituan ndeshjen e parë në Minsk me rezultatin e pastër 0-2 (golat nga Sokol Cikalleshi dhe Kejdi Bare), pas pesë ndeshjesh bjellorusët kanë dy pikë më shumë dhe ndodhen në vendin e parë.
Cikalleshi dhe Bare, së bashku edhe me mbrojtësin Ismaili, ishin autorët e tre golave në fitoren 3-1 ndaj Lituanisë në “Air Albania”, që i dha shpresë trajnerit Edi Reja për ta mbyllur edicionin si kryesues dhe të përfitojë në rast suksesi shifrën prej 1.125 milionë euro nga UEFA.
Statistikat tregojnë një realitet jo optimist.
Por, a do ta thyejë Shqipëria “mallkimin” Bjellorusi?
Në fakt, në të dy rastet e vetme që Shqipëria dhe Bjellorusia kanë qenë në të njëjtën grup eliminator, si për ato të Euro 2008 dhe Euro 2012, bjellorusët i kanë lënë pas kuqezinjtë.
Në eliminatoret e Euro 2008 (Grupi G), ku bëni pjesë edhe Rumania, Holanda, Bullgaria, Bjellorusia, Shqipëria, Sllovenia dhe Luksemburgu, në përfundim të eliminatorëve, Bjellorusia u rendit e katërta me 13 pikë, ndërsa Shqipëria e pesta me 11 pikë.
Në eliminatoret e Euro 2012 (Grupi D) ku bënin pjesë Franca, Bosnjë-Hercegovina, Rumania, Bjellorusia, Shqipëria dhe Luksemburgu, në përfundim të eliminatorëve, Bjellorusia u rendit e katërta me 13 pikë, ndërsa Shqipëria e pesta me 9 pikë.
Statistikat ofrojnë një ekuilibër të plotë midis dy ekipeve në përballjet direkt, me nga dy fitore secila dhe dy barazime. Interesant është fakti, që Shqipëria ka fituar një takim në Minsk (0-2) dhe Bjellorusia një takim në Tiranë (2-4).
Takimi i parë historik midis përfaqësueseve daton 14 vjet më parë, më 2 shtator 2006, me një barazim në Minsk, ku për Shqipërinë realizuan Ervin Skela (me penallti) dhe Besnik Hasi, me stolin kuqezi që drejtohej nga kroati Oto Bariç.
Pas tri ndeshjeve pa fitore, Shqipërisë iu desh përballja e katërt (26 mars 2011, Euro 2012) që të arrinte suksesin me Bjellorusinë: 1-0 falë një goli të realizuar nga Hamdi Salihi, i cili sot është ndihmës i trajnerit Edi Reja. Atëherë në bankinë ishte kroati Josip Kuzhe. Nga ajo skuadër e aktivizuar nuk ka më asnjë lojtar në përfaqësuese.
Në miqësoren e mbyllur 0-0 në Antalia (15 nëntor 2013) ishte në bankinë italiani Xhani De Biazi, duke bërë kështu që italiani tjetër Edi Reja të jetë tekniku i katërt kuqezi në gjashtë sfida me Kazakistanin.
A do t’ia dalë Edi Reja ta fitojë sfidën dhe të marrë vendin e parë, dhe të ngjitet në Ligën B?
90 minuta të zjarrta priten të luhen në “Air Albania”!