LIFESTYLE, 25 Gusht 2023, 15:49

Nga stili e deri tek privatësia, të pathënat e Dua Lipës për “Vogue”

Nga stili e deri tek privatësia, të pathënat e Dua Lipës

Së fundmi Dua Lipa ka pozuar për “Vogue France”, ku shfaqet shumë joshëse dhe shumë ndryshe nga herët e tjera. Këtë radhë ajo ka guxuar me stilin dhe me trendet e reja, si make-up-i ashtu edhe flokët, duke i vënë në pah tiparet e saj më tërheqëse.

Mirëpo, krahas fotove ajo ka dhënë edhe një intervistë për Arthur Dreyfus, duke ardhur ndryshe tek publiku, për të kuptuar më shumë nga ajo çfarë jemi mësuar të shikojmë në skenë.

Gjatë intervistës, gazetari e ka pyetur Duan lidhur me sjelljen e saj jashtë skenës, nëse ajo sillet njësoj në rrethin privat ashtu sikurse e shohim në publik.

Dua tha se në fakt nuk është e njëjta, duke theksuar: “Në fillim doja të besoja se duhej të ishe i njëjti person në shtëpi dhe në skenë. Tani kam mësuar të rezervoj disa aspekte të vetes për rrethin tim të brendshëm. Është Dua që është e qetë në shtëpi dhe në media, ky version i ekzagjeruar i vetes sime që quhet edhe Dua, dhe i jep të gjitha në skenë.”

Mirëpo, Arthur e ka pyetur më tej artisten duke iu drejtuar: “Cilën nga Duat preferon?”

“Përzierja e tyre! Sepse kjo anë e dyfishtë më lejon të mbaj një jetë normale. Kur kam një takim profesional, e vendos veten në modalitetin “Dua Lipa musical karriera”, por mundem po aq mirë, menjëherë më pas të bashkohem me disa miq në modalitetin “Dua intime” dhe të lë mënjanë gjithçka tjetër. Këto dy fytyra më lejojnë të mbaj këmbët në tokë”, është shprehur këngëtarja.

Gjatë intervistës së gjatë, Dua zbuloi se ajo nuk e dëgjon muzikën e saj, duke thënë: “Unë kurrë nuk e dëgjoj muzikën time. Kur punoj në një album, ai vazhdon të përsëritet, por në momentin e dytë që del, nuk e dëgjoj më nëse nuk ndodh në radio ose në ndonjë klub.”