TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Princ Leka është martuar me Blerta Celibashin fundjavën e shkuar. Në një ceremoni private, duke hapur një kapitull të ri në jetën e tij personale rreth dy vite pas ndarjes nga aktorja Elia Zaharia.
Lajmi u bë publik nga Oborri Mbretëror Shqiptar, ndërsa bashkë me të u publikua edhe fotografia zyrtare e çiftit. Fotoja është realizuar në Kështjellën Apponyi në Sllovaki, një vend i zgjedhur për të nderuar trashëgiminë e Mbretëreshës Geraldinë dhe origjinën e saj hungareze.
Pas martesës, Blerta Celibashi do të mbajë mbiemrin e familjes Zogu dhe titullin Princeshë e shqiptarëve. Princ Leka, 43 vjeç, dhe Blerta Celibashi, 27 vjeç, e bënë publike lidhjen e tyre rreth një vit më parë. Çifti shpalli fejesën në tetor të vitit të kaluar dhe e festoi në mënyrë private në Ksamil.
Për dasmën, ata zgjodhen një ceremoni intime në Sllovaki, duke lënë pa ftuar disa nga miqtë dhe bashkëpunëtorët e afërt në Tiranë.
Të gjithëve iu bëri përshtypje fakti sesi dasma mbretërore, që pritej të mbahej në vendin tonë, nuk kishte disa nga miqtë e afërt të tyre. Bëhet me dije se dasma ka qenë me një numër të limituar vendesh, ku prezentë kanë qenë edhe disa familje të shquara në Europë. Në këto kushte, çifti ka qenë i kushtëzuar në ftesa, duke ruajtur formatin e vendit dhe festës së organizuar.
Historia e tyre e dashurisë nisi pak kohë pas ndarjes së Princ Lekës nga ish-bashkëshortja, aktorja Elia Zaharia. Martesa mes tyre u zgjidh zyrtarisht nga Gjykata e Tiranës më 25 prill të 2024, pas konflikteve të vazhdueshme dhe ndërprerjes së bashkëjetesës.
Ndarja e çiftit u shoqërua me një përplasje të fortë familjare që u bë publike në media, ku u raportuan edhe incidente mes Princ Lekës dhe familjarëve të ish-bashkëshortes.
Ish-çifti ka një vajzë, princeshën Geraldinë, e lindur në vitin 2020. Pavarësisht polemikave që shoqëruan ndarjen, marrëdhënia e Princ Lekës me Blerta Celibashin u bë gjithnjë e më e dukshme. Ata u shfaqën së bashku në disa aktivitete publike dhe evente ndërkombëtare, ndërsa lidhja e tyre u konfirmua zyrtarisht pas disa muajsh spekulimesh.
Blerta Celibashi është shtatzënë dhe foshnja pritet të jetë djalë. Për Princ Lekën, ky do të jetë fëmija i dytë, pasi ai ka një vajzë nga martesa e mëparshme me Elia Zaharian. Burimet bëjnë me dije se shtatzënia po zhvillohet normalisht dhe çifti ka zgjedhur ta mbajë këtë fazë të jetës së tyre larg vëmendjes publike.
Edhe pse spekulimet kishin qarkulluar prej kohësh, vetëm së fundmi është bërë e qartë se lajmi është i saktë dhe se përgatitjet për ardhjen e fëmijës kanë nisur. Deri tani, Princ Leka dhe Blerta Celibashi nuk kanë dhënë një reagim zyrtar lidhur me këtë zhvillim./Panorama Plus