LIFESTYLE, 3 Janar 2022, 21:32

“Arbëria”, filmi i parë në gjuhën shqipe që po jepet në “ Netflix”/ Francesca Oliveri zbulon të gjitha sekretet

“Arbëria”, filmi i parë në gjuhën shqipe që

Në 23 dhjetor të vitit 2021, në platformën më të madhe të filmave në botë, “Netflix”, ka filluar të transmetohet filmi i parë në gjuhën shqipe, “Arbëria”.

“Arbëria” është një film, i cili flet për historinë e një vajze të quajtur Aida. Ajo rikthehet në vendin e origjinës së saj në Kalabri, pas vdekjes së babait nga ku zbulon kulturën dhe traditat arbëreshe. Një film i cili vendoset mes realitetit shqiptar ku shfaq lidhjet e forta të trashgimive kulutore të pakicës që jeton në disa fshatra të vogla në Kalabri dhe Bazilikatë.

Fakti që ky film është aktualisht i pari në gjuhën shqipe në Netflix, i ka dhënë edhe më tepër jehonë këtij filmi, përmes së cilit tashmë bota po njeh kulturën dhe historinë e arbëreshëve të Italisë. Regjisorja e këtij filmi, Francesca Olivieri, e cila është me origjinë kalabreze, ka rrëfyer shumë gjëra rreth filmit në një intervistë për “Telegraf.”

“Arbëria”, filmi i parë në gjuhën shqipe që

Pjesë nga intervista:

Telegrafi: Ju jeni regjisore e filmit “Arbëria” që tani është shfaqur në Netflix dhe iu dedikohet shqiptarëve arbëreshë të Italisë. Na trego pak më shumë në tërësi rreth këtij filmi?


Francesca Olivieri: “Arbëria” është një histori nostalgjie, por edhe një histori konflikti mes të shkuarës dhe të tashmes, origjinës dhe aspiratave. Aida është një grua e guximshme dhe moderne, por edhe melankolike dhe me një personalitet luftarak që jeton ndërmjet nevojës për t’u përshtatur dhe kërkimit të identitetit. Ajo është një stiliste, pasi është shpërngulur shumë herë është vendosur në një qytet ku ka hapur një rrobaqepësi veshjesh elegante. Por me vdekjen e babait të saj, Aida detyrohet të kthehet në fshatin e saj të lindjes, që ndodhet në malet, në jug të Italisë. Gjatë këtij udhëtimi, Aida do të rizbulojë gjuhën e saj amtare: arbëreshët, një gjuhë e lashtë shqipe e folur në komunitetin pakicë: pasardhësit e refugjatëve kryesisht toskë shqiptarë, të cilët ikën nga Shqipëria mes shekujve të katërmbëdhjetë dhe të tetëmbëdhjetë si pasojë e pushtimit osman në Ballkan. Kjo “tokë e shpirtit” – e quajtur Arbëria – i jep Aidës një energji të re, përmes së cilës ajo do të rimarrë kontrollin e jetës së saj dhe ajo do të pajtohet me të kaluarën e saj.

“Arbëria”, filmi i parë në gjuhën shqipe që

Telegrafi: Si erdhi ideja për realizimin e një filmi me tematikë shqiptarët e Italisë. Ku e morët frymëzimin?

Francesca Olivieri: Historia e Aidës është frymëzuar pjesërisht nga përvojat personale të tezes sime dhe gjyshes sime, të lindura në Santa Caterina Albanese, në Kalabri, në jug të Italisë. Doja të zhytesha në këto elemente biografike dhe të orientohesha drejt fuqisë dhe hirit të shpikjes së reales. Tema është padyshim personale, unë jam vetë një grua e re që kam emigruar dhe shpresoj që kjo histori e bujarisë njerëzore të jetë me interes për një publik të shpërndarë kulturalisht. Më kujtohet hera e parë që pashë një valle, vallen tradicionale të arbëreshëve, u trondita sepse ndjeva se si ky moment ishte magjik dhe ka një potencial kinematografik në vetvete. Më pas fakti i dëgjimit të gjyshes sime duke folur shumë herë në këtë gjuhë ishte padyshim burimi im kryesor i frymëzimit. Ajo ka qenë muza ime e veçantë gjatë gjithë filmit dhe më mësoi traditat dhe atë që vlen në kulturën arbëreshe.

Telegrafi: Kemi dëgjuar që origjina jote është kalabreze. Mund të na thuash cila është lidhja juaj me shqiptarët?


Francesca Olivieri: Origjina ime është arbëreshe, por një arbëresh është gjithashtu një kalabrez dhe një italian, natyrisht. Gjyshja ime ka thënë shpesh se fshati i saj, Santa Caterina Albanese, i përket një kombi që nuk ekziston: Arbërisë. Kjo popullsi është në fakt pa komb, por i drejtohet komunitetit të vet në kohë të vështira, siç ndodhi në momentin e ndërhyrjes për refugjatët e luftës në Kosovë, të cilës ata iu përgjigjën me këtë formulë: “Ne jemi vëllezër, na është derdhur gjaku”. Derdhja e gjakut, kultura e dyfishtë, një përkatësi etnike e refuzuar apo e fshehur, këto janë temat që më frymëzuan për të shkruar këtë pjesë. Mendoj se të jesh arbëresh është një mundësi për të mbledhur kultura të ndryshme dhe për të krijuar një lidhje mes mesdhetareve dhe kulturës ballkanike. Lidhja ime bazohet në historinë e paraardhësve të mi, që lanë vendin e tyre dhe u shpërndanë në të gjithë jugun e Italisë dhe më pas gjatë kohës u detyruan të braktisin Shqipërinë për arsye politike. Kultura ballkanike ka qenë gjithmonë burim frymëzimi për mua, ndaj lidhjen time e bën edhe kinemaja dhe muzika ballkanike që i vlerësoj shumë.

Telegrafi: “Arbëria” është njëherësh filmi i parë në gjuhën shqipe që transmetohet në platformën më të madhe të filmave në botë, Netflix? Sa të lumtur ju bën ky fakt?

Francesca Olivieri: Për mua është një nder. Arbëreshët janë një pakicë gjuhësore në Itali. Gjatë viteve të pasluftës, procesi i shkrim-leximit ishte një valë që përfshiu të gjithë vendin. Kishte shumë komunitete që flisnin gjuhë të vogla që nuk mund t’i rezistonin imponimit të një gjuhe të përbashkët, ndaj fakti që Netflix i jep mundësinë kësaj pakice të flasë me zë të lartë gjuhën e tyre, është një ngjarje e rëndësishme.

Telegrafi: Po momentet më të këndshme në prapaskenë?

Francesca Olivieri: Më kujtohet një herë, kur Anna Stratigi tha një rresht që nuk ishte në skenarin tim, dhe të gjithë filluam të qeshnim dhe më pas kjo shaka u bë fraza tërheqëse e të gjithë anëtarëve të ekipit, ishte qesharake!

Telegrafi: Si është pritur filmi “Arbëria” në festivalet e filmave?

Francesca Olivieri: Filmi është shfaqur në vitin 2019, dhe më pas u shfaq për herë të parë në Cosenza për premierën dhe biletat u shitën plotësisht: ishte një mbrëmje e suksesshme. Më pas u publikua në shumë festivale në Evropë: hera e parë ishte në Tiranë në Festivalin Dea dhe mori Çmimin e jurisë publike. Më pas e shfaqëm filmin në Francë, në Uells, në Norvegji, në Gjermani për festivale të ndryshme të filmit italian. Gjithmonë ka pasur një publik të madh të interesuar për këtë histori, sepse shumë njerëz nuk dinë për historinë e Shqipërisë dhe paraardhësve të saj. Në Itali gjatë të gjitha shfaqjeve pati edhe një habi të këndshme, sepse italianët e njohin popullin shqiptar dhe historinë e fundit të këtij vendi, por anashkalojnë që pasardhësit e tyre erdhën në Itali gjatë shekullit të pesëmbëdhjetë.

Telegrafi: Keni shikuar ndonjëherë ndonjë film shqiptar, nëse po cilin?

Francesca Olivieri: Unë kam qenë e ftuar me filmin në Giornate del cinema Albanese, në Casa del Cinema në Romë, në vitin 2019. Kur isha atje shikoja shumë filma shqiptarë. Më pas u ftova si anëtare e jurisë për Dea Film Festival, vitin e kaluar. Ne ishim të larguar për shkak të situatës së pandemisë, shikuam shumë filma të shkurtër dhe mbaj mend që më la përshtypje filmi i studentëve, të gjithë ishin interesantë për mua dhe ishte vërtet e vështirë të bëja një zgjedhje si anëtare e jurisë!

Telegrafi: Francesca, faleminderit shumë që ishit pjesë e kësaj interviste. Për fund, cili do të ishte mesazhi juaj për lexuesit tanë?

Francesca Olivieri: Gjyshja ime ka thënë shpesh se fshati i saj i përket një kombi që nuk ekziston: Arbërisë. Kjo popullsi është në fakt pa komb, por i drejtohet komunitetit të vet në kohë të vështira, siç ndodhi në momentin e ndërhyrjes për refugjatët e luftës në Kosovë, të cilës ata iu përgjigjën me këtë formulë: “Ne jemi vëllezër, na është derdhur gjaku”. Derdhja e gjakut, kultura e dyfishtë, një përkatësi etnike e refuzuar apo e fshehur, këto janë temat që më frymëzuan për të shkruar këtë pjesë. Shpresoj që filmi të vlerësohet, edhe për këtë mesazh. /Telegrafi/

“Arbëria”, filmi i parë në gjuhën shqipe që

“Arbëria”, filmi i parë në gjuhën shqipe që