AKTUALITET, 1 Mars 2019, 22:17

Liberalizimi i vizave, Haradinaj takim me delegacionin e PE

Liberalizimi i vizave, Haradinaj takim me delegacionin e PE

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka pritur sot delegacionin e Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin Evropian, kryesuar nga David McAllister.

Siç njofton zyra e kryeministrit, Haradinaj e ka informuar delegacionin e PE-së për arritjet në Kosovë, zhvillimin ekonomik, si dhe për përmbushjen e reformave evropiane.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj, kërkoi nga delegacioni i Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin Evropian mbështetjen e mëtejme për liberalizimin e vizave, duke thënë se institucionet e Kosovës kanë përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara për heqjen e vizave, derisa qytetarët tanë mbeten të vetmit të izoluar në këtë pjesë të rajonit.

Kryeministri Haradinaj tha se institucionet e Kosovës janë duke punuar me përkushtim për fuqizimin e sundimit të ligjit, forcimin e stabilitetit ekonomik të vendit, ndërtimin e raporteve të mira fqinjësore me të gjitha vendet e rajonit dhe për integrimet euroatlantike si orientim kryesor i vendit.