AKTUALITET, 1 Mars 2019, 20:05

Derbi mbetet “tabu” për Tiranën, nuk ka fitore ndaj Partizanit

Derbi mbetet “tabu” për Tiranën, nuk ka fitore ndaj

Derbi i kryeqytetit mes Tiranës dhe Partizanit është mbyllur në barazim pa gola. Kjo sfidë ishte shumë e rëndësishme për të dyja skuadrat dhe humbja nuk shihej aspak si një rezultat i pranuar. Ekipet vinin pas një momenti të mirë, por në “Selman Stermasi”, nuk arritën të gjenin golin e fitores.

Tirana e nisi më mirë takimin, duke rrezikuar disa herë portën e Alban Hoxhës. Në dy raste, britaniku Ngo kishte mundësinë për të shënuar me kokë, por nuk ia doli që të mposhtë kapitenin e Partizanit. Me kalimin e minutave, Partizani u zgjua dhe ndeshja u balancua në mesfushë.

Pjesa e parë u mbyll pa gola dhe fraksioni i dytë i lojës, pati të njëjtën histori. Tirana e nisi më mirë dhe Greca ishte aktiv nga krahu u majtë, megjithatë, rastet e pastra munguan. Ngo u neutralizua mirë nga Belica dhe Rexhepi, i cili u aktivizua në pjesën e dytë nga Gega.

Edhe Partizani krijoi disa raste të mira, por Abibi nuk pati shumë punë për të bërë. Telushi goditi shtyllën dhe mesfushori i Partizanit ishte i pafat. Turtulli rrezikoi autogolin, por dhe topi i devijuar nga mbrojtësi shkon jashtë kuadratit.

Edhe pse kjo sfidë premtonte gola dhe spektakël, ajo që u pasqyrua në fushën e lojës ishte shumë larg pritshmërive dhe 90 minutat në “Selman Stermasi”, u mbyll e barabartë pa gola.

KATEGORIA SUPERIORE – JAVA 24

E premte, më 1 mars, ora 18:00

Stadiumi “Selman Stërmasi”, Tiranë

TIRANA – PARTIZANI  0-0