TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Venecia kërkon që palët të ulen sërish në tryezë për Kodin Zgjedhor. Opinioni paraprak i Komisionit të Venecias, i botuar të mërkurën, rekomandon të mos ndryshojë më ky Kod Zgjedhor, por në fakt ai ka lënë një detyrë të vështirë për palët.
Opinioni vlerëson se ndryshimi i formulës së koalicioneve mund të sjellë ndryshime thelbësore në rezultatin e zgjedhjeve, kur rezultati është i ngushtë. Për ndryshimin e formës së koalicioneve parazgjedhore, Komisioni i Venecias shprehet se “Nuk ka gjasa që kjo të çojë në ndryshime në caktimin e një numri të madh vendesh. Sidoqoftë, në një garë të ngushtë elektorale, ndryshime të tilla mund të jenë vendimtare për marrjen e shumicës së vendeve në Parlament”.
Nga ana tjetër Opinioni zbulon një kleçkë mbi koalicionet, që duhet zgjidhur me marrëveshje politike.
Nga Komisioni bëhet një sqarim në këtë pikë. “Duhet të theksohet se, në vitin 2017, rregulli mbi koalicionet nuk u zbatua pas një marrëveshje politike konsensuale, kështu që në praktikë asnjë ndryshim i vërtetë nuk do të ndodhë në zgjedhjet parlamentare.
Termi koalicion u hoq nga neni 68 i Kushtetutës, por ai qëndron në nenin 96 (1) të Kushtetutës, i cili parashikon që, “[në] fillimin e një legjislature, si dhe kur vendi i Kryeministrit është vakant, Presidenti i Republikës emëron Kryeministrin me propozimin e partisë ose koalicionit të partive që ka shumicën e vendeve në Kuvend ”. Në rast refuzimi, Presidenti duhet të caktojë një Kryeministër tjetër. Nga diskutimi i zhvilluar me aktorët shqiptarë, nuk duket se një “koalicion partish” në nenin 96 të Kushtetutës ka të njëjtin kuptim si në Kodin Zgjedhor”, nënvizon Opinioni paraprak i Komisionit të Venecias. Më tej jepet edhe rrugëzgjidhja: “Do të ishte e përshtatshme të bëhej e qartë kjo para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021, ndoshta me një marrëveshje politike”.
“Në këto kushte, është e dyshimtë nëse ndryshimet në rregullat për koalicionet, sikurse parashikoheshin në versionin e mëparshëm të Kodit, të mund të konsiderohen si një ndryshim thelbësor”, shkruhet në Opinionin paraprak.
Pra detyra e Komisionit për partitë është: “Të sqarohet ndikimi i ndryshimeve në lidhje me koalicionet lidhur me nenin 96 të Kushtetutës për emërimin e Kryeministrit”. A do të ketë një mbledhje të re të Këshillit Politik Gjiknuri-Bylykbashi, apo do të ketë iniciativë të Presidentit Meta për t’i ulur palët të diskutojnë sërish çështjen e koalicioneve? Kjo duket se do të jetë detyrë e parë për Vitin e Ri politik.
Pasi ka kritikuar mënyrën e ndjekur nga mazhoranca për kryerjen me urgjencë të ndryshimeve Kushtetuese, Komisioni rekomandon edhe në një pikë tjetër që partitë duhet të ulen në tryezë. “Partitë të dialogojnë për zbatimin e ligjit zgjedhor në kohë: Të gjitha autoritetet të hyjnë në një dialog konstruktiv dhe të bëjnë çmos për të zbatuar ligjin zgjedhor në kohë.”, nënvizon Opinioni.
Po ashtu, partitë politike duhet të sqarojnë ndikimin e ndryshimeve në zgjedhje:
“Ato duhet të fillojnë sa më shpejt të jetë e mundur, dhe në një mënyrë transparente, për të sqaruar ndikimin e ndryshimeve, dhe administratës zgjedhore duhet t’i sigurohen mjetet e mjaftueshme për t’i zbatuar ato.” Opinioni i Venecias, parashikon ndikim në zgjedhje edhe nga ndryshimet e tjera në Kodin Zgjedhor:
Listat e hapura ndikojnë tek zgjedhësit
Lidhur me “listat e hapura” Komisioni thekson se “Disa bashkëbisedues të Komisionit të Venecias dhe ODIHR konsideruan se ky ndryshim nuk do të kishte një ndikim të madh në rezultatin e zgjedhjeve”.
Sipas Opinionit, “Ndërsa efektet e këtij ndryshimi duhet të vlerësohen, duket se kjo risi nuk duhet të konsiderohet si një ndryshim thelbësor. Ky ndryshim do të ndikojë sjelljen e zgjedhësve dhe do të ketë një ndikim në fushatën zgjedhore”.
Pragu Kombëtar dëmton të pavarurit dhe pakicat
Për vendosjen e pragut kombëtar, Opinioni argumenton se “Nuk ka asnjë ndryshim thelbësor me zëvendësimin e pragut nga 3% (parti) ose 5% (koalicione) në nivel rajonal në 1% në shkallë vendi (neni 162 (1) i Kodit Zgjedhor). Në zonat elektorale të vogla vepron pragu natyror, ç’ka e bënë të paefektshëm vendosjen e pragut kombëtar.
Ky prag mund të ndikojë vetëm për kandidatët e pavarur dhe parti që përfaqësojnë pakica kombëtare (të vogla, të përqendruara). Një përjashtim për këtë të fundit mund të merret në konsideratë pas zgjedhjeve të vitit 2021”.
/TPZ.al/