SPORT, 16 Shkurt 2020, 22:47

Lacio fiton ndaj Interit me përmbysje, tani vetëm një pikë larg Juventusit

Lacio fiton ndaj Interit me përmbysje, tani vetëm një pikë

Lacio tregon forcën me një ndeshje spektakolare të fituar 2-1 përballë Interit, për të marrë tri pikë shumë të rëndësishme në luftën për titull, ku tashmë është zyrtarisht pretendente. Skuadra e Inzagit nuk është më surprizë, por një kërcënim real për Juventusin që duhet të jetë e kujdesshme sidomos pas provës së sotme që dha ndaj Interit.

Pjesa e parë e sfidës nisi me një traversë të goditur nga Milinkoviç-Saviç ndërsa më pas skuadrat u treguan të kujdesshme duke lënë pak hapësirë për të rrezikuar dy emrat e që ka secila në majë të sulmit, Imobile e Lukaku. Megjithatë, në fund të pjesës së parë Interi ia doli që të thyente Strakoshën me anë të goditjes së Jang (44'), i cili çoi në delir tifozerinë zikaltër të pranishme në stadium.

Reagimi i Lacios ishte i shpejtë dhe në fillimin e pjesës së dytë sulmoi pareshtur derisa fitoi penallti për faullin e De Vrij ndaj Imobiles. Vetë sulmuesi shkon te pika e bardhë dhe nuk gabon duke barazuar shifrat në minutën e 50-të e rihapur sfidën. Më pas, dy ekipet shkëmbyen gjuajtje nga distanca pa shumë rrezik për portat kundërshtare derisa erdhi minuta e 70-të e sfidës. Pas një goditje këndi, mbrojtja zikaltër nuk arriti të largonte sferën nga zona dhe topi mbeti aty duke i dhënë mundësinë Milinkoviç-Saviç të mposhtte Padelin e pafajshëm duke përmbysur plotësisht duelin.

Interi provoi me forcë të gjente barazimin në minutat e mbetur por aktivizimi i Moses, Eriksen e Sançez, nuk ndryshoi asgjë në rezultatin e sfidës, me Lacion që iu gëzua suksesit që e ngjit tashmë në vendin e dytë në renditje dhe e bën atë armikun numër 1 të Juventusit kryesues.

Lacio-Inter 2-1

50′ (p) Imobile, 70′ Milinkoviç-Saviç / 44′ Jang