TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Shoqatat përfaqësuese të gjyqtarëve dhe prokurorëve kanë vendosur të mos marrin pjesë në tryezën e propozuar me qeverinë, duke deklaruar se do ta vijojnë betejën përmes Gjykatës Kushtetuese.
Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve, Shoqata e Prokurorëve dhe Forumi i Grave Gjyqtare kanë bërë të ditur se do t’i drejtohen Kushtetueses me kërkesë për pezullimin e zbatimit dhe shfuqizimin e ligjit të ri për pagat e magjistratëve.
Në deklaratën e përbashkët, shoqatat kundërshtojnë mënyrën se si është ndjekur procedura për ndryshimet në ligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”. Sipas tyre, projektligji është miratuar përtej afatit kushtetues, pa një analizë financiare nga Këshilli i Ministrave dhe pa një konsultim efektiv me grupet e interesit.
Shoqatat argumentojnë se ndryshimet prekin statusin financiar të magjistratëve dhe, sipas qëndrimit të tyre, lidhen drejtpërdrejt me garantimin e pavarësisë së sistemit të drejtësisë. Ata kërkojnë gjithashtu që çështja të shqyrtohet me përparësi nga Gjykata Kushtetuese.
Përplasja për pagat e magjistratëve është shoqëruar prej ditësh me tensione. Më 10 shtator, gjyqtarët kërkuan zhbllokimin e pagave dhe zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duke paralajmëruar përshkallëzim të masave në rast të mosveprimit.