AKTUALITET, 26 Janar 2018, 19:14

Kukësi likuidon Vllazninë, Starova sherr me arbitrin për penalltinë e Flamurtarit

Kukësi është tjetërsuar.  Fiton 3-1 ndaj Vllaznisë. Nën drejtimin e PeterPakult, kampionët në fuqi po shfaqen një tjetër ekip dhe jo vetëm në miqësore. Vllaznisë nuk i kanë mjaftuar përforcimet, pasi janë thyer në shtëpi dhe kjo bën që të jenë në vendin e parafundit.

0-0 pjesa e parë në Shkodër, ndërkohë që Guri ndëshkoi ish-ekipin e tij në minutën e 50-të me një goditje me kokë. Njëzet minuta më vonë Arlind Kalaja vendosi baraspeshën. 1-1, por Kukësi nuk dorëzohet. Zhderiç në minutën e 80-të dhe Bakaj në të 93-n vulosën fitoren e kampionëve në fuqi. 9 pikë larg është Skënderbeu tani.

96 minuta e 34 sekonda. Kaq zgjati sfida mes Flamurtarit dhe Partizanit (1-0). Fitore e madhe e vlonjatëve që duke përfituar nga disfata e Skënderbeu shkojnë në -6 pikë nga kreu. Me Flamurtarin në kërkim të fitores e të kuqtë më të përqendruar mbrapa sfida po mbyllej siç nisi, por jo. Jemi në shtesë. Atanda prek topin me dorë brenda zonës dhe… penallti.

Më në fund, një penallti për Flamurtarin. Partizani i gjithi në protesta, me Starovën që çmendet fare. Mbasi luan me duar me arbitrin e katërt dhe nuk e ndal askush, mendon kryesori Jorgji ta qetësojë, duke e larguar me të kuqe.

Por më keq. Starova shtyn dhe kryesorin e sfidës. Minuta e 95-të. Bushiç niset nga pika e bardhë dhe Hoxha shpëton portën, por topi kthehet te Bushiç, që dërgon stadiumin në ekstazë. Gol dhe Fitore. Skënderbëu humbi dhe më në fund, një arbitër akordoi penallti për Flamurtarin. Më bukur prishet…

Kategoria Superiore – Java 17

Flamurtari – Partizani 1-0

Shënues: Bushiç 94’

Vllaznia – Kukësi 1-3

Shënues: Kalaja 70’ / Guri 50’, Zhderiç 80’, Bakaj 93’