AKTUALITET, 31 Janar 2018, 19:25

Kryeprokurorja e re transferohet në Tiranë, qeveria i paguan qiranë Arta Markut

Kryeprokurorja e re transferohet në Tiranë, qeveria i paguan

Kryeprokurorja e Përgjithshme Arta Marku, e cila është e përkohshme në këtë detyrë do të përfitojë kompensimin e qirasë së banesës ku po qëndron në Tiranë.

Këshilli i Ministrave ka vendosur sot kompensimin e qirasë së saj, dhe sipas vendimit të qeverisë thuhet se ky kompensim do të ketë shifrën e 35 000 lekëve të reja në muaj, për sa kohë që Marku të jetë në funksion të detyrës së caktuar.

Kështu në vendimin e qeverisë thuhet, se sot Këshilli i Ministrave vendosi:

1.Kompensimin, në masën 35 000 (tridhjetë e pesë mijë) lekë në muaj, të pagesës së qirasë së banesës për strehimin, në qytetin e Tiranës, të prokurorit të caktuar të kryejë përkohësisht detyrën dhe funksionet e Prokurorit të Përgjithshëm.

2. Pagesa e kompensimit, deri në përfundim të periudhës së përkohshme, sipas pikës 1, të këtij vendimi, të kryhet çdo muaj, me fondet e buxhetit të miratuar për vitin 2018 për Prokurorinë e Përgjithshme.

3. Shuma e përgjithshme e fondit, që do të përdoret për pagesat e kompensimit, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit dhe të rishpërndahet në buxhetin e miratuar për Prokurorinë e Përgjithshme.

4. Ngarkohen Prokuroria e Përgjithshme dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.