TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka dhënë mesazhe të forta nga takimi me strukturat në Elbasan. Ajo paralajmëroi vazhdimin e protestave, jo vetëm të studentëve. Kryemadhi i bëri thirrje kryeministrit ‘Edi Rama të shpëtojë veten dhe familjen e tij ose ndryshe do ta ngrenë zgupthi shqiptarët, gratë shqiptare’.
Kryetarja e LSI u bëri thirrje të gjithë drejtuesve të partisë së saj, që edhe natën e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, të dalin deri më derë për të folur me njerëzit, e për t’i zgjuar, në mënyrë që kjo klikë sipas saj, të rrëzohet.
“Çdo ditë pa ndalim, edhe natën e Krishtlindjeve e Vitit të Ri, nga mëngjesi në darkë, derë më derë me njerëzit për t’i sensibilizuar, me socialistët për t’i zgjuar e për ta përmbysur këtë klikë kriminale e cila çdo ditë e më shumë po ia pi gjakun shqiptarëve. Rama nuk ikën, do ta largojmë ne sepse shqiptarët janë ata që e ndjejnë dhimbjen më të madhe”, tha Kryemadhi.
Ajo deklaroi se studentët janë në të drejtën e tyre dhe se Rama mund të plotësojë kërkesat e tyre me 1/3 e parave që iu ka falur oligarkëve me miratimin e ligjit të ri për tatimin.
“Studentët janë në të drejtë të Zotit, në të drejtë të tyre, janë kërkesat më minimale. Nuk pranon Edi Rama të plotësojë kërkesat e studentëve sepse e gjithë paketa është 100 mijë euro, por ditën e enjte Rama i fali me qindra miliona euro 5 apo 10 vetave, oligarkë që nuk i kanë paguar buxhetit të shtetit. 1/3 e këtyre parave dalin që studentët shqiptarë të jetojnë si të gjithë studentët në Europë. Por Edi Ramës nuk i dhimbsen studentët shqiptarë dhe rinia shqiptare sepse nuk do kishte emigruar siç ka emigruar. Është shumë e thjeshtë dashuria që ka Edi Rama për Shqipërinë dhe shqiptarët”, deklaroi Kryemadhi.