TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Ishte Vlora deri dy vite më parë në top listën e zonave ku mbillej më së shumti kanabis, por duket se tani stafetën e ka marrë Kruja.
Në pak kohë, policia ka njoftuar se ka kryer katër operacione antidrogë dhe të gjithë i ka quajtur “Ndëshkimi”.
Përmes një njoftimi për mediat, bëhet e ditur se janë finalizuar operacionet policore antikanabis të koduar “Ndëshkimi 3 “ dhe “Ndëshkimi 4”.
Në pranga kanë rënë 11 persona dhe një tjetër shpallet në kërkim për kultivim të bimëve narkotike. Operacioni është vijim i dy operacioneve të tjera të koduara “Ndëshkimi 1 dhe 2”.
Njoftimi i plotë i policisë:
Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike, pas një hetimi 2 mujor me Metoda Speciale të Hetimit, Komisariati i Policisë Krujë nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë si dhe në bashkëpunim me Shërbimet e Drejtorisë së Policisë Durrës dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë Tiranë, finalizuan me sukses Operacionin Policor të Koduar “Ndëshkimi 3”.
Në funksion të procedimit penal të vitit 2019, u bë ekzekutimi i masave të sigurisë “Arrest me burg” për veprën penale “Kultivim i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, për shtetasit ;
A.K., 56 vjeç, banues në fshatin Picrrage, Krujë.
F. K., 52 vjeç, banues në fshatin Brret, Krujë.
G. K., 49 vjeç, banues në fshatin Picrrage, Kruje.
J. K., 24 vjeç, banues në Krujë,
K. K., 30 vjeç, banues në Krujë.
Gjithashtu u bë ndalimi me iniciativë për veprën penale “Kultivim i bimëve narkotike”, i shtetasit A. K., 45 vjeç, banues në Mafsheq, Krujë.
Nga tërësia e veprimeve hetimore e proceduriale, ka rezultuar se këta shtetas , në bashkëpunim me njeri- tjetrin kanë kultivuar bimë narkotike Canabis Sativa ne zonën e pyllëzuar të fshatit Brret, Mal Brret dhe Picrrage të rrethit Krujë, e cila është asgjësuar në periudha të ndryshme.
Po gjatë orëve të fundit është finalizuar një tjetër operacion i koduar “Ndëshkimi 4”, ku pas një hetimi 3 mujor me Metoda Speciale Hetimi, ne funksion te procedimit penal te vitit 2019 u bë ekzekutimi i masave te sigurisë “Arrest me burg” për veprën penale të “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer ne bashkëpunim, për shtetasit ;
F. D., 23 vjeç, banues në Fshatin Borizane, Krujë
S. D. 20 vjeç, banues në Borizane, Krujë.
K. T, 22 vjeç , banues në Laç te rrethit Kurbin.
Dhe u bë shpallja në kërkim e shtetasit A. D. 27 vjeç, banues në fshatin Borizanë, Krujë.
Nga tërësia e veprimeve hetimore e proceduriale, ka rezultuar se këta shtetas në bashkëpunim me njeri-tjetrin kanë kultivuar bimë narkotike në zonën e pyllëzuar të fshatit Borizanë, Krujë, në periudha të ndryshme, të cilat janë asgjësuar nga Policia.
Gjithashtu po në vijim të operacionit “Ndëshkimi 4”, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve B.U., 50 vjeç, dhe S.U., 20 vjeç, banues në Nikël, Krujë, pasi nga kontrolli i ushtruar në banesën e tyre, u janë gjetur fidanë të dyshuar narkotikë canabis sattiva, si dhe një sasi lënde narkotike e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dhe 14 aparate celularë dhe 1 automjet.
Vazhdon puna për dokumentimin ligjor të kësaj veprimtarie kriminale. Materialet do ti kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësore Krujë për veprën penale të “Kultivimit te bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim .
Në total në 4 operacionet antikanabis janë arrestuar 27 persona, të gjithë të akuzuar për kultivim dhe transport marijuane në territorin e Bashkisë së Krujës.