AKTUALITET, 14 September 2026, 14:10

Kriza e pagave në drejtësi, Braçe: KLGJ dhe KLP duhet t’u kërkojnë ndjesë deputetëve, morën kompetencat e Kuvendit

Kriza e pagave në drejtësi, Braçe: KLGJ dhe KLP duhet t’u

Deputeti socialist Erion Braçe ka ashpërsuar tonet ndaj KLGJ-së dhe KLP-së për përplasjen mbi pagat e magjistratëve. Duke folur në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, Braçe tha se përfaqësuesit e dy institucioneve duhet të paraqiten para deputetëve dhe t’u kërkojnë ndjesë për, sipas tij, marrjen e një kompetence që Kushtetuta ia njeh Kuvendit.

Braçe argumentoi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk i ngarkon KLGJ-në dhe KLP-në të caktojnë pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, por ia lë këtë detyrë Parlamentit. Për këtë arsye, ai e cilësoi aktin e dy institucioneve si pa bazë ligjore dhe madje “të kallëzueshëm”. 

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk i kërkon KLGJ-së dhe KLP-së të caktojë rrogën e prokurorëve dhe gjyqtarëve. I kërkon Parlamentit”, deklaroi Braçe.

Ai u ndal edhe te kallëzimet e bëra ndaj ministrit të Financave dhe drejtuesve të Thesarit për moszbatimin e kërkesave për pagat, duke i cilësuar veçanërisht ato ndaj administratës së Thesarit si të paprecedenta.

“Është një akt vetëgjyqësie i pandodhur në këtë vend”, tha Braçe.