AKTUALITET, 14 September 2026, 12:48

Shuhet pedagogu, nënkolonel Alfons Qorllari, kolegët dhe kursantët: Mirënjohje për gjithçka që dhe për Forcat e Armatosura

Alfons Qorllari, Nënkolonel i Forcave të Armatosura dhe pedagog në Kolegjin e Mbrojtjes dhe Sigurisë, është ndarë nga jeta si pasojë e betejës me një sëmundje të rëndë. Lajmin e trishtë e japin kolegët e Kolegjit të Sigurisë.

"Lamtumirë, Nënkolonel Alfons Qorllari", shkruhet në njoftim, ndërsa kolegët dhe kursantët që ai trajnonte në Kolegjin e Mbrojtjes dhe të Sigurisë, shprehin nderim e mirënjohje për profesionalizmin e tij te Forcat e Armatosura.

Gjatë karrierës së tij ushtarake, Nënkolonel Alfons Qorllari u dallua për përkushtimin ndaj formimit profesional, duke ndjekur kualifikime dhe trajnime të shumta brenda dhe jashtë vendit. Këto përvoja pasuruan jo vetëm formimin e tij, por edhe kontributin që dha në edukimin dhe përgatitjen e brezave të rinj të ushtarakëve.

Fatkeqësisht, kohët e fundit ai ishte diagnostifikuar me një sëmundje të rëndë, betejën me të cilën nuk e ka fituar dot, duke mbyllur përgjithmonë sytë e duke lënë në trishtim familjen, kolegët dhe miqtë e shumtë.

"Njerëz si ai nuk largohen kurrë plotësisht. Ata mbeten në kujtesën e kolegëve, kursantëve dhe të gjithë atyre që patën fatin ta njohin dhe të punojnë me të. Mbeten në mësimet që lanë pas dhe në gjurmën që kanë lënë në rrugëtimin e Forcave të Armatosura", thuhet në njoftim.

Kolegji i Mbrojtjes dhe i Sigurisë (KMS) është një institucion i Forcave të Armatosura të Shqipërisë që ofron arsimim, trajnim dhe kualifikim për personelin ushtarak dhe civil. Aty planifikohen dhe drejtohen Kurset e karrierës për zhvillimin profesional të ushtarakëve shqiptarë dhe atyre në rajon.