AKTUALITET, 14 September 2026, 11:26

Alarmi për bombë në shkollën “Emin Duraku”, policia: Telefonoi në 06.30, Jatagani informacionin e rremë e publikoi edhe në rrjetet sociale

Personi në foto është 47-vjeçari Edmond Jatagani, i cili dyshohet se alarmoi Policinë e Tiranës për një bombë në shkollën “Emin Duraku”, njoftim që rezultoi i rremë.

Antiterrori ka përgjuar numrin nga i cili është bërë telefonata dhe ka zbuluar se pas denoncimit qëndronte Jatagani. Ai është arrestuar më pas nga Policia.

Sipas policisë, Jatagani dyshohet se kishte për qëllim krijimin e panikut, ndërsa rezulton të jetë edhe një nga pjesëmarrësit më aktivë në protestat qytetare.

Jatagani rezulton i shoqëruar disa herë nga policia në lidhje me aktet dhe thirrjet për dhunë gjatë protestave.

Në njoftimin e policisë thuhet: “Specialistët e Njësisë Antiterror arrestuan për veprat penale “Njoftimi i rremë në organet e rendit” dhe “Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik”, shtetasin M. J., 47 vjeç. 47-vjeçari dyshohet se, rreth orës 06:30 të datës 14.09.2026, ka telefonuar Policinë e Tiranës, duke pretenduar për terrorizëm dhe lëndë të shkatërrimit në masë, në një shkollë 9-vjeçare.

Menjëherë pas telefonatës, në shkollën e sinjalizuar, shërbimet e Policisë, Njësia Antieksploziv dhe Njësia Antiterror kanë kryer veprimet e nevojshme verifikuese, nga të cilat rezultoi se informacioni ishte i rremë dhe se nuk kishte lëndë të tilla të rrezikshme. Nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se shtetasi M. J. e ka publikuar këtë informacion të rremë edhe në rrjetet sociale. Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme”.