TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Hetimi për vrasjen e 45-vjeçares në Nea Smyrni vijon me intensitet të lartë, ndërsa marrëdhënia mes viktimës dhe 48-vjeçarit të dyshuar për krimin është në qendër të hetimeve. Autoritetet po analizojnë me kujdes provat e mbledhura në banesa dhe të dhënat nga telefonat celularë, në përpjekje për të zbardhur atë që ka ndodhur para ngjarjes së rëndë.
Sipas informacioneve të publikuara nga mediat greke, policia disponon një video që regjistron lëvizjet në ndërtesën ku ndodhi krimi, pak para të shtënave. Nga të dhënat paraprake, 48-vjeçari dyshohet se kishte vendosur një person për të qëndruar jashtë banesës së 45-vjeçares dhe kishte pritur momentin kur ajo do të dilte.
Kur gruaja hapi derën dhe doli nga banesa, 48-vjeçari dyshohet se e kërcënoi me një revolver dhe e detyroi të gjunjëzohej. Më pas u qëllua dy herë me armë. Sipas të njëjtave informacione, plumbi i parë nuk e goditi gruan, ndërsa i dyti rezultoi fatal. Hetuesit po shqyrtojnë gjithashtu mundësinë që viktima të ishte kërcënuar më herët nga 48-vjeçari. Sipas informacioneve të bëra publike, gruaja kishte frikë për jetën e saj dhe kishte ndërmarrë masa për t’u mbrojtur, duke ndryshuar edhe bravat e banesës ku jetonte me vajzën e saj të mitur.
Në kuadër të hetimeve po analizohen edhe provat e gjetura në automjetin e 48-vjeçarit. Dyshohet se aty janë gjetur fishekë të të njëjtit kalibër me ato të përdorura në vrasje, ndërsa revolveri që dyshohet se është përdorur në krim përshkruhet si një armë relativisht e re.