TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Prokuroria Themelore në Pejë kishte ngritur më 23 tetor 2026 aktakuzë për kanosje ndaj Jeton Sylajt, ish-bashkëshortit të Arlinda Zekajt, vetëm dy ditë para se ajo të vritej në Vitomiricë të Pejës. Për vrasjen e saj dyshohet kunati, Albert Sylaj, i cili vijon të jetë në arrati.
Rasti ka marrë përmasa edhe më shqetësuese pas publikimit të deklarimeve të viktimës në Polici, ku ajo kishte rrëfyer për kërcënimet e pretenduara nga ish-bashkëshorti dhe kishte shprehur frikën për jetën e saj.
Sipas deklarimeve të dhëna para hetuesve policorë në korrik të vitit 2026, Arlinda Zekaj kishte treguar se Jeton Sylaj posedonte armë zjarri me leje dhe se, gjatë kohës kur kishin jetuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ajo e kishte denoncuar për dhunë fizike dhe psikike.
“Kam me të mbytë, as ushtria s’ka me mujtë me të hjekë nga dora ime”
Në deklarimin e saj në polici, më 10 korrik 2026, Arlinda Zekaj kishte përshkruar kërcënimet që, sipas saj, i kishte marrë vazhdimisht nga ish-bashkëshorti.
“Kam me të mbytë, kam me të ngreh zhag, as ushtria s’ka me mujtë me të hjekë nga dora ime, kur**, kud**, rrugaçe, ki me flejt në sokak, s’ki me pa më djalin nëse jam gjallë unë”, citohet të ketë deklaruar ajo.
Sipas aktakuzës, çifti kishte jetuar për rreth 11 vjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në vitin 2024, Arlinda ishte kthyer në Kosovë së bashku me djalin e saj, ku kishte ndërtuar një shtëpi. Ndërkohë, ish-bashkëshorti kishte udhëtuar shpesh mes Kosovës dhe Amerikës.
“Me Jetonin kemi jetuar rreth 11 vite në shtetin e Amerikës, dua të deklarohem se deri sa kam jetuar në Amerikë, Jetoni ka ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj meje, me çka e kam raportuar në Amerikë dhunë familjare”, kishte deklaruar ajo para policisë.
Konflikti për shtëpinë dhe kredinë prej 9 mijë eurosh
Në deklarimet e saj, Arlinda Zekaj kishte folur edhe për konfliktet lidhur me shtëpinë ku jetonte me djalin, si dhe për një kredi prej 9 mijë eurosh që, sipas saj, ishte detyruar ta merrte.
Ajo kishte pretenduar se ish-bashkëshorti ushtronte dhunë psikike ndaj saj dhe se në dhjetor të vitit 2025 e kishte telefonuar duke i kërkuar të largohej nga shtëpia.
“Jetoni më ka detyruar që unë të hyj në kredi dhe unë kam marrë kredi 9 mijë euro dhe që dy vite që jemi duke jetuar Jetoni ushtronte dhunë psikike. Tutje deklaroj se në muajin dhjetor 2025, Jetoni më ka telefonuar dhe më ka thënë dil nga shtëpia se ti s’ki çka lypë aty. Ndërsa unë i kam thënë se ne e kemi ndërtuar shtëpinë së bashku ndërsa Jetoni më ka kërcënuar me fjalët ‘kam me të mbytë, kam me të ngre zhag, as ushtria s’ka me mujtë me të hjekë nga dora ime’”, kishte deklaruar Arlinda Zekaj.
Gjykata i kishte dhënë urdhër mbrojtjeje për gjashtë muaj
Sipas sqarimeve të Gjykatës Themelore në Pejë, më 7 shtator 2026, Arlinda Zekaj kishte kërkuar urdhër mbrojtjeje emergjent ndaj ish-bashkëshortit, përmes Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave.
Kërkesa ishte aprovuar pjesërisht atë ditë, ndërsa pas kundërshtimeve të palëve dhe pranimit të raportit të Qendrës për Punë Sociale, çështja ishte shqyrtuar më tej.
Më 16 tetor, Gjykata kishte vendosur që urdhri emergjent të shndërrohej në urdhër të rregullt mbrojtjeje, duke aprovuar kërkesën e saj dhe masat mbrojtëse për një periudhë prej gjashtë muajsh.
Gjithashtu, sipas Prokurorisë, vendimi gjyqësor e obligonte ish-bashkëshortin që ta lejonte Arlindën të kthehej dhe ta shfrytëzonte shtëpinë e përbashkët.
Më 22 tetor i shkroi kryeprokurores: Kërkoi veprime urgjente
Një tjetër detaj i rëndësishëm lidhet me datën 22 tetor, tri ditë para vrasjes. Sipas njoftimit të Prokurorisë, kryeprokurorja kishte pranuar një parashtresë nga Arlinda Zekaj, përmes së cilës ajo kishte paraqitur pretendimet e saj lidhur me trajtimin e rasteve të mëparshme dhe kishte kërkuar zbatimin e vendimit gjyqësor.
Pas pranimit të kërkesës, çështja ishte adresuar te institucionet kompetente, përfshirë Policinë e Kosovës, Gjykatën Themelore në Pejë dhe Qendrën për Punë Sociale, me kërkesën që situata të vlerësohej urgjentisht dhe të verifikoheshin pretendimet për lëshime të mundshme institucionale.
Prokuroria ka bërë të ditur gjithashtu se ishte iniciuar një rast për të hetuar nëse në veprimet ose mosveprimet e zyrtarëve të përmendur në parashtresë kishte elemente të veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar. Ky hetim lidhet me pretendimet për veprimet institucionale dhe nuk përbën konstatim se është kryer vepër penale.


“A duhet të më vrasë mua Jetoni që ju ta arrestoni?”
Deklarimet e Arlinda Zekajt në ditën e vrasjes janë ndër detajet më të rënda të rastit.
Sipas raportimeve të mediave që kanë publikuar dëshminë e saj, më 25 tetor, disa orë para se të vritej, ajo kishte rrëfyer sërish për kërcënimet e pretenduara nga ish-bashkëshorti.
“A duhet të më vrasë mua Jetoni që ju, Policia, atëherë ta arrestoni shizofrenin?”, citohet të ketë pyetur ajo gjatë intervistimit.
Sipas dëshmisë së publikuar, rreth orës 17:58, Arlinda kishte treguar se ishte përfshirë në një konflikt në shtëpi, pasi kishte futur rrobat e saj në lavatriçe dhe kishte shkuar në kuzhinë për të ngrënë. Ajo pretendonte se ish-bashkëshorti e kishte kërcënuar dhe më pas ia kishte hedhur rrobat në oborr.
“Unë të thyej, të mbys, çka lyp ti në shtëpinë time? Ti nuk guxon më kështu të veprosh, kush je ti?”, kishte deklaruar ajo se i kishte thënë ish-bashkëshorti.
Arlinda kishte treguar se, nga frika, kishte telefonuar menjëherë Policinë. Gjatë intervistimit, asaj i ishte ofruar mundësia për të shkuar në strehimore, por ajo kishte refuzuar.
“Jo, unë nuk pranoj të shkoj në strehimore. Unë dua të shkoj në shtëpinë time”, kishte deklaruar ajo.
E pyetur nëse ndihej e sigurt për t'u kthyer në shtëpi, ajo ishte shprehur se nuk ndihej mjaftueshëm e sigurt, por nuk dëshironte të hiqte dorë nga djali dhe pasuria e saj.
“Nuk e ndiej veten të sigurt sa duhet, por nuk heq dorë nga djali dhe pasuria ime”, citohet të ketë thënë Arlinda.
Ish-bashkëshorti u ndalua, Arlinda u kthye në shtëpi e shoqëruar nga Policia
Sipas sqarimit të Prokurorisë Themelore në Pejë, më 25 tetor, rreth orës 19:48, Policia e Kosovës e kishte njoftuar prokurorin kujdestar për një rast të dyshuar të dhunës në familje në shtëpinë e Arlindës.
Në stacion policor ishin shoqëruar Arlinda Zekaj dhe ish-bashkëshorti i saj. Ndaj këtij të fundit ishte caktuar masa e ndalimit për 48 orë, në kuadër të procedurës për veprën penale të mospërfilljes së gjykatës.
Prokuroria ka sqaruar se, pas vlerësimit të rrethanave dhe rrezikut të mundshëm për sigurinë e viktimës, prokurori kujdestar kishte vlerësuar se kthimi i menjëhershëm në shtëpinë e përbashkët mund të paraqiste rrezik për jetën e saj.
Për këtë arsye, ishin kontaktuar vëllezërit e Arlindës dhe, pas bisedimeve, ajo kishte pranuar të shkonte te familjarët, me kërkesën që të nesërmen të shoqërohej nga një patrullë policore për t'u kthyer në shtëpi.
Megjithatë, sipas Prokurorisë, Arlinda kishte kërkuar të kthehej në shtëpinë ku ndodhej djali i saj dhe pasuria e saj. Ajo ishte shoqëruar nga një patrullë policore dhe kishte mbërritur në shtëpi rreth orës 21:00.
Pak minuta më vonë, prokurori kujdestar ishte njoftuar se Arlinda ishte goditur me një mjet të fortë brenda shtëpisë nga kunati i saj, Albert Sylaj, i dyshuar për vrasjen.
Gjykata pranoi aktakuzën ndaj ish-bashkëshortit mëngjesin e 26 tetorit
Prokuroria Themelore në Pejë kishte njoftuar se më 23 tetor kishte ngritur aktakuzë ndaj Jeton Sylajt për veprën penale të kanosjes në kuadër të marrëdhënies familjare.
Ndërkohë, Gjykata Themelore në Pejë ka konfirmuar se aktakuza e drejtpërdrejtë ndaj tij është pranuar më 26 tetor 2026, në orën 08:56, përmes sistemit SMIL. Aktakuza lidhet me veprën penale “Kanosja”, sipas nenit 181, paragrafit 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Gjykata ka bërë të ditur se, sipas të dhënave të sistemit të saj, nuk rezulton të ketë pasur më herët ndonjë rast tjetër penal të regjistruar ku Arlinda Zekaj të figurojë si viktimë. Megjithatë, ajo kishte paraqitur kërkesë për urdhër mbrojtjeje emergjent në shtator dhe kishte marrë urdhër të rregullt mbrojtjeje më 16 tetor.
I dyshuari për vrasjen ende në arrati
Arlinda Zekaj u vra mbrëmjen e 25 tetorit në Vitomiricë të Pejës. Për vrasjen dyshohet kunati i saj, Albert Sylaj, i cili ende nuk është arrestuar dhe është shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës.
Prokuroria Themelore në Pejë ka shprehur keqardhje për humbjen e jetës së Arlindës dhe ka bërë të ditur se rrethanat e rastit, përfshirë veprimet dhe mosveprimet e mundshme të institucioneve, duhet të shqyrtohen përmes një hetimi të plotë, objektiv dhe profesional.
Ngjarja ka ngritur pikëpyetje serioze lidhur me mënyrën se si u trajtuan paralajmërimet e viktimës, zbatimin e urdhrit mbrojtës dhe masat e marra për sigurinë e saj. Përgjegjësitë eventuale do të duhet të përcaktohen nga organet kompetente.
