AKTUALITET, 2 Nëntor 2020, 14:17

Kontrasti/ Britania "kyçet" e gjitha por lë shkollat hapur. Shqipëria mbyll vetëm universitetet, të gjitha kafenetë të hapura...


Një grup studentësh kanë protestuar paraditen e sotme, kundër vendimit të qeverisë për të mbyllur universitetet dhe për të transferuar mësimin nga auditoret, në online.

Ata kanë renditur arsyet, përse ky vendim është arbitrar dhe i dëmshëm për edukimin dhe financat e tyre.

Së pari, ata argumentojnë se mësimi online paraqet vështirësi të shumta për mësimdhënien dhe nuk është efektiv, duke i dëmtuar ata.

Së dyti, shumë prej studentëve, kanë vështirësi ekonomike, që e pamundëson lidhjen me internetin dhe pjesëmarrjen në klasat online.

Në Shqipëri, të vetmet institucione që janë mbyllur për shkak të valës së dytë të pandemisë, janë universitetet. Ndërkohë, të gjitha kafenetë, baret, restorantet dhe sektori i shërbimeve, vijojnë të opererojë normalisht (me disa kufizime në orare, për disa zona). Sigurisht, qeveria në pamundësi për të dhënë ndihmë ekonomike, e ka thuajse të pamundur një mbyllje të dytë.

Po kështu, fushatat elektorale të të gjitha partive, vijojnë të operojnë normalisht dhe politikanët shfaqen rëndom duke shkëmbyer puthje dhe përqafime me militantët.

Por, kur bëhet fjalë për edukimin, duket se mbyllja e universiteteve nuk ka asnjë kosto financiare për qeverinë, ndaj edhe këto institucione morën goditjen të parat. Ajo që qeveria shqiptare, sigurisht edhe komiteti i ekspertëve nga të cilët kryeministri  thotë se udhëhiqet, nuk e kuptojnë, është se kostoja në dije, mund të jetë edhe më e madhe se ajo ekonomike.

Një shembull, që tregon se arsimi në fakt duhet të jetë prioriteti i parë i qeverisë, vjen nga Britania e Madhe.

Pak ditë më parë, kryeministri, Boris Johnson, njoftoi një mbyllje të dytë në rang kombëtar, për të frenuar përhapjen e koronavirusit në Britani. Thuajse gjithçka do të mbyllet dhe qytetarët do të izolohen në banesa, me pak përjashtime, ku përfshihen shkollat dhe universitetet, që do të vijojnë të qëndrojnë të hapura. Johnson e argumentoi këtë përjashtim, me faktin se edukimi është shumë i rëndësishëm dhe një prioritet, që nuk mund të kompromentohet.

"Ne nuk mund të lejojmë që virusi të dëmtojë të ardhmen e fëmijëve tanë, më shumë se sa e ka dëmtuar deri tani", tha Johnson.

Studentët në Shqipëri zotohen se do të vijojnë protestat, nëse qeveria (sigurisht bashkë me ekspertët e komitetit), nuk do të reflektojnë. Një gjë është e sigurtë, të gjitha kafenetë i kanë dyert të hapura për valën e studentëve, që u ndalohet pjesëmarrja në auditore.

/TPZ.al/

Foto nga protesta e studentëve ditën e sotme: