AKTUALITET, 2 Nëntor 2020, 13:33

“Situata po përkeqësohet”, Conte: Do të izolohemi sërish

“Situata po përkeqësohet”, Conte: Do të izolohemi


Rritja e frikshme e rasteve të reja ka bërë që Italia të ashpërsojë masat kufizuese për të frenuar përhapjen e koronavirusit.

Rregullat e reja do të miratohen para të mërkurës.

Duke iu referuar situatës aktuale, Conte theksoi se “italianët e infektuar janë shumë më të shumtë se gjatë valës së parë edhe pse virulenca është e ndryshme dhe më e ulët”.

“Sot deri në 96% e personave të infektuar janë asimptomatikë ose kanë simptoma të lehta”, tha ai.

Kryeministri italian Giuseppe Conte i cili foli në Parlament këtë mesditë, ka nënvizuar se situata epidemiologjike kërkon zbatimin e “skenarit 4”, për një izolim që nuk do të jetë si ai i muajit mars, por për disa rajone ku situata nuk është aspak e mirë.

“Pas raportit të fundit të Premten dhe situatës veçanërisht kritike në disa rajone, ne jemi të detyruar të ndërhyjmë me qëllim zbutjen e kurbës së infektimeve me një strategji që duhet të modulohet për disa rajone.

Kurba e pandemisë ka kapërcyer në të gjithë kontinentin. Brenda një kornize globale, BE është një nga zonat më të prekura nga vala e dytë e pandemisë.

Javët e fundit, rritja në rastet e Covid ka qenë 150 infeksione për 100 mijë banorë dhe gjithashtu në vendin tonë situata po përkeqësohet.

Rishpërthimi i infektimeve ka çuar në një shumëfishim të konsiderueshëm të numrit të të prekurve”, tha kryeministri.