AKTUALITET, 2 Tetor 2020, 14:04

Kolegji i Posaçëm i Apelit shkarkon përfundimisht ish-gjyqtarin Luan Dervishi

Kolegji i Posaçëm i Apelit shkarkon përfundimisht ish-gjyqtarin


Kolegji i Posaçëm i Apelit ka shkarkuar përfundimisht nga detyra Luan Dervishin, ish-gjyqtarin e apelit të Shkodrës.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi në vitin 2018-të për shkarkimin e Dervishit pasi dyshohej për kontakte me botën e krimit të organizuar.

Luan Dervishi, i cili shërben si gjyqtarë që prej vitit 1982, ishte në listën prioritare të vetingut për shkak të kandidimit të tij për një post në Gjykatën Kushtetuese.

Pas publikimit të thirrjes së dytë për Këshillin e Lartë Gjyqësor, Dervishi shprehu gjithashtu interesin për të qenë pjesë e institucionit.

Pas seancës ai ka kundërshtuar vendimin. “Nuk jam dakord me vendimin, të gjitha pretendimet do t’i bëj me dije në ankimim”, u tha Dervishi gazetarëve jashtë sallës ku u dha vendimi.

Hetimi administrativ për gjyqtarin Dervishi u krye nga trupa gjyqësore e drejtuar nga Firdes Shuli, me relatore Etleda Çiftja dhe anëtare Pamela Qirko.

Gjatë seancës dëgjimore për Dervishin relatorja bëri me dije një listë të gjatë mospërputhjesh në deklarime dhe mungesë të burimeve të ligjshme për pasurinë e gjyqtarit Dervishi.

Njoftim vendimi:

Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Ardian Hajdari kryesues, Sokol Çomo relator, Albana Shtylla, Ina Rama, Natasha Mulaj anëtarë, shpalli vendimin për çështjen (JR) nr.11/2019, datë 21.02.2019, që lidhet me ankimin e subjektit të rivlerësimit Luan Dervishi, kundër vendimit nr. 83, datë 26.11.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “a” e ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi: Lënien në fuqi të vendimit nr. 83, datë 26.11.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Luan Dervishi.

Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm. U shpall në Tiranë, më datë 01.10.2020.