AKTUALITET, 2 Tetor 2020, 12:28

Dyshohet se po transportonte kanabis, arrestohet polici në Gjirokastër

Dyshohet se po transportonte kanabis, arrestohet polici në Gjirokastër


Një efektiv policie ka rënë në pranga në Gjirokastër, pasi dyshohet se po transportonte bimë narkotike me furgon.

Forcat “Shqiponja” kanë arrestuar efektivin 23-vjeçar A. K., i cili ka qenë drejtues i mjetit, si dhe pasagjerin K. H., ndërsa janë sekuestruar mjeti furgon, bimët narkotike, arma e shërbimit të punonjësit të Policisë dhe tre aparate celular.

Njoftimi i policisë:

Vijon kontrolli i imtësishëm i territorit dhe operacionet e njëpasnjëshme për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë në fushën e kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.

Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Transportuesi”.

Operacion nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Gjirokastër, forca e posaçme “Shqiponjat” dhe Komisariati i Policisë Tepelenë.

Kapen dhe vihen në pranga një punonjës policie i Komisariatit të Policisë Durrës dhe një shtetas tjetër, të cilët transportonin bimë narkotike me furgon.

Në vijim të kontrollit të imtësishëm të territorit për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë në fushën e narkotikëve dhe mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative, strukturat e DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Tepelenë, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor “Transportuesi”, si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit A. K., 23 vjeç, punonjës policie, dhe K. H., 16 vjeç, banues në Vlorë.

Si pasojë e trysnisë së kontrollit të imtësishëm të territorit nga shërbimet e Policisë, duke përdorur dronë dhe helikopterë, shtetasit e përfshirë në këtë veprimtari kriminale i kanë prerë bimët narkotike para kohe.

Shërbimet e Policisë, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, kanë organizuar punën dhe në aksin rrugor Dukaj-Salari kanë konstatuar mjetin furgon me drejtues shtetasin A. K. dhe pasagjer shtetasin K. H., duke transportuar bimët narkotike.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar mjeti furgon, bimët narkotike, arma e shërbimit të punonjësit të Policisë dhe 3 aparate celular.

Në bashkëpunim me Prokurorinë dhe SHÇBA-në vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.