TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Ministri i jashtëm grek Nikos Kocias bëri një përpjekje për të ndihmuar Shqipërinë këtë të hënë, kur thirri në Luksemburg një mëngjes pune me ministrat e vendeve anëtare të BE-së, ku do të dëgjohej një prezantim i ministrit shqiptar Ditmir Bushati mbi rëndësinë e hapjes së negociatave për vendin tonë.
Por nga fotot e takimit, duket se ministrat europianë e anashkaluan pjesëmarrjen në takim dhe dërguan aty diplomatë të vendeve të tyre.
Nga 28 ministra, vetem 8 kanë marrë pjesë, ai i Austrisë, Bullgarisë, Gjermanisë, Greqisë, Polonisë, Rumanisë, Qipros dhe Suedisë.
Ra në sy mungesa e ministrave të jashtëm të Francës, Holandës dhe Danimarkës, tre vende që janë ende të rezervuar për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe nëse nuk ka surpriza, pritet të mos e pranojnë hapjen e negociatave për vendin tonë.
Mungesa e ministrave në mëngjesin e thirrur nga Ministri i Jashtëm i Greqisë, shton dyshimet se numri i skeptikëve për mos’hapjen e negociatave mund të jetë shtuar mes vendeve anëtare të BE-së.
Qeveria shqiptare ka shtuar kontaktet me vendet e BE-së për hapjen e negociatave, ditët e fundit. Të martën pritet që Rama të udhëtojë vetë drejt BE-së, për të negociuar me vendet më të rezervuara për hapjen e negociatave.