TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Kompania Fusha Sh.p.k fiton një tjetër tender pa garë në Bashkinë e Tiranës. Tpz.al ka mësuar se institucioni i drejtuar nga Erion Veliaj, i vetëpagëzuar me noftën "Lali Eri", e ka shpallur fituese firmën për tenderin me objekt “shërbimi i pastrimit dhe gjelbërimit në sheshe mbi dhe nën tokë dhe terminale”.
Fondi për këtë tender shkon në rreth 100 mijë USD me TVSH, ndërsa fondet janë dhënë nga buxheti i shtetit. Kohëzgjatja e kontratës është deri në datë 31 dhjetor 2018, duke nisur nga data e lidhjes së kontratës. Sipas dokumenteve në tender ka qenë pjesëmarrës vetëm kompania Fusha sh.p.k, dhe që ka ofruar rreth 99 përqind të vlerës së tenderi. Natyrisht, tenderi pa garë, është një mundësi e mirë për kompanitë private që të vendosin çmimin tavan për ofrimin e shërbimit.
Bashkia e Tiranës kërkon fshirjen dhe pastrimin me punëtorë shesh parkimi, fshirja e rrugëve me makineri, larja e sipërfaqeve dhe larja e WC-ve. Sipas specifikimeve teknike, fshirja dhe pastrimi me punëtorë do të bëhet 4 herë në javë, ndërsa fshirja e rrugëve me makineri 2 herë në javë dhe larja e sipërfaqeve 1 herë në javë. Kërkohen të mirëmbahen sipërfaqet e gjelbra.
Ndërkohë, kjo kontratë do të shtrihet në sheshin Asllan Rusi, parkimin te Qyteti Studenti, parkimi te Selman Stërmasi, parkimi nëntokësor te sheshi Skënderbej, parkimi nëntokësor te ish Stacioni i Trenit, terminali i Autobuzave të Jugut, sheshi te Avni Rustemi dhe sheshi tek Diga e Liqenit.
Tpz.al ka denoncuar edhe më parë se kompania Fusha Sh.p.k renditet një nga të preferuarat e Lali Erit. Sipas të dhënave, në muajt e fundit, Bashkia e Tiranës hapi sërish procedurën me negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës për tenderin “Ndërtimi i këmbëve të Urës Menik mbi lumin Erzen”. Vlera totale e përfundimit të kontratës është 15,405, 521 lekë me TVSH. Përfituesi është sërish firma Fusha Sh.p.k. Pra, edhe kësaj herë, nuk është bërë tender, por vetëm është negociuar çmimi!
Fusha Sh.p.k, është kompani e vjetër në fushën e ndërtimit, megjithatë me fitoren e Erion Veliajt në Bashkinë e Tiranës, ajo pësoi një rritje të ndjeshme ekonomike, falë tenderave publik. Të dhënat e siguruara nga Tpz.al, nga Thesari i Shtetit, bëjnë me dije se Fusha Sh.p.k, ka 4 fishuar punën përgjatë viteve 2015-2018, në krahasim me vitet e 3 vitet shkuara.
Pagesat nga Thesari i Shtetit për Fusha Sh.p.k:
Viti 2012 – 2013
1,268,240,289 lekë
Viti 2014
1,216,813,613 lekë
Viti 2015-2018
4,727,122,964 lekë
Fusha Sh.p.k rezulton fituese edhe një sërë tenderash nga qeveria qendrore, mes tyre edhe Rikonstruksionin e Ministrisë së Brendshme, dy tunele të mëdha nëntokësore në Durrës dhe kulmon me koncesionin super të majmë të fituar para pak ditësh, atë të hidrocentralit të Kalivaçit, me vlerë 125 milion euro. Kjo e fundit i 15-fishon të ardhurat nga punët publike, të Fusha Sh.p.k, në 3 vitet e fundit. Ndërkohë, së fundmi, ka fituar një super tender në Bashkinë e Vlorës, për ndërtimin e Bulevardit, me vlerë rreth 9 milionë USD.
Fusha Sh.p.k është në pronësi të biznesmenit Shkëlqim Fusha, i cili është edhe i afërm i ish-kryeprokurorit të Tiranës, Petrit Fusha./TPZ.AL/E.H./
