TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Burime të ndryshme kanë bërë të ditur se Kina e ka paralajmëruar Shtetet e Bashkuara se do të anulonte një samit të planifikuar mes liderëve të dy vendeve, nëse Uashingtoni do të miratonte shitje të reja armësh për Tajvanin.
Presidenti kinez, Xi Jinping, pritet të takohet me presidentin amerikan Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë më 24 shtator. Ky do të jetë takimi i tyre i tretë ballë për ballë brenda një viti.
Presidenti amerikan i ka dhënë rëndësi të madhe këtij takimi, i cili zhvillohet në prag të zgjedhjeve të ndërmjetme të nëntorit, me shpresën se ai do të ndikojë në përmirësimin e nivelit të tij të ulët të popullaritetit.
Megjithatë, ndërsa po bëheshin përgatitjet për samitin, Kina përsëriti qëndrimin e saj se çështja e Tajvanit përbën një “vijë të kuqe” në marrëdhëniet dypalëshe mes Pekinit dhe Uashingtonit. Këtë e kanë bërë të ditur burime të shumta për agjencinë japoneze të lajmeve Kyodo News, shkruan Yahoo News.
Në dhjetor të vitit të kaluar, administrata Trump njoftoi një paketë të paprecedentë shitjesh armësh për Tajvanin, me vlerë 11 miliardë dollarë.
Ky vendim shkaktoi reagim të ashpër në Pekin, i cili pretendon se ishulli i vetëqeverisur është pjesë e territorit kinez.
Në muajin maj, SHBA-ja deklaroi se po pezullonte një shitje tjetër armësh për Tajvanin, me vlerë 14 miliardë dollarë, për të siguruar rezerva të mjaftueshme armatimi për luftën e saj kundër Iranit.
Burimet thanë se qeveria kineze kishte kërcënuar me anulimin e takimit dypalësh të këtij muaji nëse do të miratohej ndonjë shitje e re armësh për Tajvanin.
Anulimi i një takimi kaq të rëndësishëm do të ishte një situatë e sikletshme për presidentin Trump, veçanërisht duke pasur parasysh afërsinë me zgjedhjet e ndërmjetme.
Kina shton aktivitetin ushtarak rreth Tajvanit
Kina ka shtuar aktivitetin e saj ushtarak brenda dhe përreth Ngushticës së Tajvanit.
Në korrik, ajo kreu provën e saj të parë të një rakete balistike ndërkontinentale mbi Oqeanin Paqësor që nga viti 2024, duke nxitur frikën për një pushtim të mundshëm të Tajvanit.
Siç kujtojnë mediat, Xi Jinping i kishte thënë më parë presidentit amerikan se Tajvani ishte “çështja më e rëndësishme” në marrëdhëniet mes dy vendeve dhe kishte paralajmëruar për mundësinë e një konflikti nëse kjo çështje nuk do të trajtohej siç duhet.
Megjithatë, të dyja palët duket se janë ende të prirura të shmangin vendimet që mund të rrezikonin prishjen e armëpushimit të tyre tregtar.
Gjatë vizitës së tij në Pekin në muajin maj, Trump tha se shitjet e armëve për Tajvanin mund të shërbenin si një “mjet shumë i mirë negociimi” në marrëdhëniet e tij me Kinën.
Në bazë të Aktit për Marrëdhëniet me Tajvanin, të miratuar nga Kongresi pasi Uashingtoni ndërpreu lidhjet diplomatike me Taipein në favor të Pekinit në vitin 1979, SHBA-ja furnizon Tajvanin me armë për ta ndihmuar të ruajë një kapacitet të mjaftueshëm për vetëmbrojtje.
Megjithatë, gjatë administratës së dytë të Trumpit, skepticizmi në Tajvan lidhur me angazhimin e Uashingtonit për të mbështetur mbrojtjen e ishullit ka vazhduar të rritet.
Irani, një tjetër pikë e nxehtë në takimin Xi-Trump
Çështja e Iranit pritet gjithashtu të jetë një pikë kryesore në rendin e ditës së samitit të planifikuar, pasi ajo ka thelluar tensionet mes dy superfuqive.
Kina është partneri më i madh tregtar i Teheranit dhe mund të preket nga sanksionet agresive të Uashingtonit ndaj partnerëve të biznesit të Iranit.
Të premten, zyrtarë amerikanë i thanë gazetës “The Wall Street Journal” se Irani ishte mbështetur te imazmet satelitore kineze për të kryer një sulm që vrau tre ushtarë amerikanë në muajin korrik.
Sipas zyrtarëve amerikanë, kjo përbënte provën më të qartë deri më tani se mbështetja e Pekinit për aleatin e tij gjatë konfliktit gjashtëmujor kishte pasur pasoja vdekjeprurëse.
Kina i ka hedhur vazhdimisht poshtë paralajmërimet e Uashingtonit se kompanitë kineze po i siguronin Iranit imazhe me rezolucion të lartë.
Ndërkohë, qeveria kineze nuk ka bërë ndonjë njoftim zyrtar lidhur me vizitën e planifikuar të Xi Jinpingut në SHBA.