BOTA, 12 September 2026, 11:06

AfD padit kancelarin Merz, e akuzon për shpifje pas deklaratës për “spastrim etnik”

Partia e krahut të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) ka ngritur padi penale ndaj kancelarit gjerman Friedrich Merz, pas deklaratës së tij se planet e partisë për “remigrim” përbëjnë “spastrim etnik”.

Deputeti i AfD-së, Stefan Brandner, ka vlerësuar se deklarata e Merz ka kaluar kufirin dhe ka kërkuar që gjyqësori gjerman të reagojë.

“Insinuata se grupi parlamentar i AfD-së, i cili qëndron fort mbi themelet e Kushtetutës gjermane, mbështet spastrimin etnik, pra në fund të fundit dëbimet dhe vrasjet, është aq e qartë saqë gjyqësori duhet të reagojë”, tha Brandner.

Gjatë një debati në Bundestag të mërkurën, Merz tha se “remigrimi” është thjesht një emër tjetër për “spastrimin etnik bazuar në origjinë dhe ngjyrën e lëkurës”, raporton portali i Brukselit, Politico.

Në të njëjtën kohë, kancelari gjerman paralajmëroi se politika e rreptë e migracionit e AfD-së do të shkaktonte dëme të mëdha në ekonominë gjermane.

Sipas nenit 46 të Kushtetutës gjermane, anëtarët e Bundestagut në përgjithësi gëzojnë mbrojtje nga veprimet ligjore për deklaratat e bëra gjatë punimeve parlamentare.

Megjithatë, kjo mbrojtje nuk zbatohet në rastin e “fyerjeve shpifëse”, të cilave AfD u referohet në kërkesën e saj.

Termi “remigrim” përdoret nga AfD për t’iu referuar kthimit ose dëbimit të migrantëve që partia i konsideron se nuk kanë të drejtë të qëndrojnë në Gjermani. Ky koncept mund të përfshijë dëbimin e personave pa status ligjor, por edhe plane më të gjera për largimin nga Gjermania të migrantëve dhe pasardhësve të tyre.

Merz deri më tani nuk ka komentuar mbi kërkesën e AfD-së, ndërsa zyra e tij e shtypit nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

Në programin e saj zgjedhor për landin e Saksonisë-Anhalt, AfD i ka kushtuar një kapitull të veçantë çështjeve të “imigracionit dhe remigrimit”. Kjo parti fitoi bindshëm zgjedhjet në atë land të dielën.