BOTA, 12 September 2026, 13:56

Irani hap një dritare për Hormuzin/ Pezeshkian: Rihapja e ngushticës, nëse SHBA ndal bllokadën

Presidenti iranian Masoud Pezeshkian ka lënë të hapur mundësinë e rihapjes së Ngushticës strategjike të Hormuzit, sipas agjencisë iraniane të lajmeve ISNA.

Megjithatë, Pezeshkian e ka lidhur këtë hap me ndalimin e bllokadës detare amerikane ndaj porteve iraniane dhe përfundimin e veprimeve ushtarake të SHBA-së kundër Iranit.

Deklarata u bë gjatë një interviste për televizionin indian “India Today”. Sipas ISNA-s, intervista e plotë pritet të publikohet më vonë nga zyra e presidentit iranian.

Pezeshkian tha gjithashtu se Irani dhe Omani pritet të nënshkruajnë të hënën në Muskat një marrëveshje për krijimin e rrugëve të reja të lundrimit përmes Ngushticës së Hormuzit.

Në ceremoninë e nënshkrimit pritet të marrin pjesë edhe ministrat e Jashtëm të vendeve arabe që kufizohen me Gjirin.

Sipas presidentit iranian, marrëveshja do t’i paraqitet më pas Organizatës Ndërkombëtare Detare (IMO).

Ngushtica e Hormuzit është një nga korridoret detare më të rëndësishme në botë për transportin e naftës dhe gazit. Para përshkallëzimit të konfliktit, përmes saj kalonte rreth 20% e tregtisë globale të energjisë.

Teherani e ka bllokuar në praktikë kalimin përmes ngushticës duke ndërmarrë sulme dhe duke kërcënuar anijet, ndërsa SHBA-ja ka vendosur një bllokadë detare ndaj porteve iraniane, krahas sanksioneve ekonomike, me synimin për të detyruar Iranin të rihapë korridorin.

Pezeshkian ndodhet aktualisht në Indi, ku po merr pjesë në samitin e BRICS.

Përveç Brazilit, Rusisë, Indisë, Kinës dhe Afrikës së Jugut, në grup bëjnë pjesë edhe Arabia Saudite, Irani, Egjipti, Etiopia, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Indonezia.