AKTUALITET, 25 Shtator 2018, 23:16

Kaloi Vetingun, Komisioneri Publik ankimon vendimin për gjyqtaren Kosova: Nuk u hetua

Kaloi Vetingun, Komisioneri Publik ankimon vendimin për gjyqtaren Kosova:
Komisioneri Publik ka njoftuar ditën e djeshme se ka ankimuar vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për rikonfirmimin në detyrë të gjyqtares së Apelit për Krime të Rënda, Nertina Kosova. Kjo e fundit është kandidate për Këshillin e Lartë të Gjyqësorit dhe ka kaluar me sukses vetingun në Shkallën e Parë.

Vlerësimi kalimtar për gjyqtaren Kosova përfshiu në tria kriteret e përcaktuara në ligj. Megjithatë, Komisioneri Publik është i bindur se hetimi administrativ i thelluar i KPK-së për pasurinë e gjyqtares është i cunguar.

Kështu, sipas dosjes së apelimit, Komisioneri Publik thotë se hetimi pasuror për gjyqtaren është i paplotë, si në kursimet e saj, ashtu edhe në likuiditete. Bëhet fjalë kryesisht për një apartament që gjyqtarja e ka deklaruar se e ka blerë në vitin 2006 për një shumë prej 6 milionë lekësh.

Gjyqtarja ka deklaruar 5 milionë lekë kredi bankare dhe 1.8 milionë lekë kursime për apartamentin, duke përfshirë edhe mobilimin e tij. Kosova deklaroi në KPK se burimi i 1.8 milionë lekëve ishin të ardhurat familjare, mes të cilave edhe të ardhurat e saj në kohën që jetonte pranë familjes. Ajo dokumentoi gjithashtu se babai i saj zotëronte një llogari bankare prej 1.8 milionë lekësh, e cila kishte shërbyer pjesërisht si burim për shumën e mësipërme.

Por Komisioneri Publik ngre pikëpyetje mbi thellësinë e hetimit të KPK-së, duke theksuar se gjyqtares duhej t’i kalonte barra e provës për të gjitha asetet e padeklaruara të babait të saj si person i lidhur, përfshi edhe depozitën prej 1.8 milionë lekësh. Komisioneri e mbështet këtë argument edhe në faktin se deri në vitin 2011, gjyqtarja Kosova ka qenë në të njëjtin trung familjar me prindërit dhe vëllanë e saj.

Komisioneri Publik evidenton më tej se KPK-ja duhej të kishte hetuar mbi burimin e një shume prej 22,350 dollarësh, që vëllai i subjektit të rivlerësimit kishte transferuar në një llogari bankare jashtë shtetit.