TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Zoti i futbollit i adhuron duelet mes ri valëve të mëdhenj sepse ndryshe nuk mund të shpjegohet fakti se edhe këtë sezon, pavarësisht se Romelu Lukaku ndërroi fanellë duke kaluar nga Interi te Çelsi, ka vendosur që t’i vërë sërish përballë Xhorxho Kielinin.
Pikërisht kështu, pasi sot në mbrëmje, në rikthimin e parë të “Big Romit” në Itali, por këtë herë në “teatrin” e Juventusit do të shohë sërish në aksion një prej dueleve më të ashpra, por shumë të ndershëm dhe sportivë mes gjigantit belg dhe “Kong Kongut” bardhezi.
Të dy këta futbollistë ishin protagonistë absolut sezonin e kaluar në duelet mes Interit dhe Juventusit, me zikaltrit dhe Lukakun që zbritën nga froni torinezët, por Kielini diti se si të hakmerret edhe më fort në verë duke eliminuar Lukakun nga Europiani, në çerekfinalet e “Euro 2020”.
Madje, duke mbetur te ndeshjet me kombëtaret, mes tyre duelet janë tre në total, në të cilat Lukaku ka fituar vetëm miqësoren e vitit 2015 ndaj Kielinit, ndërsa edhe në Europianin e vitit 2016 ishte sërish italiani që bënte festë duke mundur në ndeshjen e fundit në grupe gjigantin e Mançester Junajtidit, 2-0 falë golave të Xhakerinit e Pele.
DUELET KIELINI-LUKAKU
Gjithsesi, sot në mbrëmje është gati që të shkruhet kapitulli i radhës mes Romelu Lukakut dhe Xhorxho Kielinit. Nëse ky i fundit ka 20 vite që nuk ndërron “lëkurë”, për bomberin belg do të jetë përballja me fanellën e tretë të ndryshme ndaj qendërmbrojtësit italian në rang klubesh.
Deri më sot, Lukaku ka dalë i mundur ndaj Kielinit kur ishte pjesë e Mançester Junajtidit (po flasim vetëm për ndeshjet, sa herë që kjo dyshe ka qenë në fushë kundër njëri-tjetrit), konkretisht më 23 tetor 2018, kur Dibala shënonte një gol të shpejtë në “Old Trafford” dhe aq mjaftonte për të marrë tri pikë në fazën e grupeve të Champions-it.
Ndërkohë, me kalimin e Lukakut tek Interi, duelet mes tyre kanë qenë tre të tillë: fitore 2-0 e belgut në 17 janar 2021; barazim pa gola në Kupën e Italisë më 9 shkurt 2021 dhe fitore 3-2 e Kielinit ndaj Romelut në javën e tretë nga fundi, e sezonit të kaluar të Serisë A, e cila i dha Juves mundësinë që të kapte vendin e katërt, ndërsa Interi e kishte ngritur ndërkohë titullin kampion. Dhe sot, do të jetë kapitulli i ri me Romelu Lukakun që do të kërkojë të shtojë edhe më tej numrin e tij të golave ndaj Kielinit dhe Juventusit të tij, por këtë herë me pelerinën e Çelsit mbi shpatulla.
JUVJA I SJELL TERS
Duke mbetur te golat dhe duelet kundër bardhezinjve, Romelu Lukaku duket sikur i trembet këtyre ngjyrave. Kjo, pasi ndaj bardhezinjve ai ka arritur të shënojë vetëm 1 herë në 6 ndeshje (këtu llogariten edhe ndeshjet në të cilat Kielini nuk ka qenë në fushë, konkretisht në dy të tjera në sezonin 2019-2020).
Madje, edhe atë gol të 15 majit 2021, konkretisht në “Allianz Stadium” e realizoi nga 11-metrat. Bilanci i “Big Rom” ndaj Juves është 1 fitore, 1 barazim dhe 4 humbje, ndërkohë që duke i shtuar edhe duelet e kombëtareve, në të cilat ka qenë kundër Kielinit në fushë, bilanci flet për 2 fitore në 7 ndeshje.
Misioni i Lukakut është që sot në mbrëmje jo vetëm të provojë të rrisë numrin e tij të realizimeve ndaj “Zonjës së Vjetër”, por mbi të gjitha ta përmirësojë sa më ndjeshëm edhe barometrin e dueleve direkte me “Kong Kong” Kielinin, i cili po e pret me padurim betejën e radhës me gjigantin belg të Çelsit.
