SPORT, 9 Janar 2018, 13:33

Italia siguron milionat! Ançeloti, Konte ose Mançini për kombëtaren

Italia siguron milionat! Ançeloti, Konte ose Mançini për

Federata Italiane e Futbollit më në fund ka siguruar milionat e eurove që i nevojiteshin për të nisur ndjekjen e një trajneri të njohur për t’i besuar stolin e përfaqësueses. Pas dështimit në Botërorin 2018 nuk do të ketë më trajner me kosto të ulët, siç u veprua me Venturën dhe janë hedhur sytë vetëm nga emra të njohur.

Kjo kërkon shpenzime të mëdha, por Federata Italiane ka arritur të ruajë një shumë prej 5 milionë eurosh për pjesën e dytë të vitit 2018, që do t’i jepen si rrogë trajnerit të ri. Me një pagë vjetore prej 10 milionë eurosh në vit, federata mund të sigurojë një nga emrat e mëdhenj të trajningut botëror dhe ka piketuar tre më të mundshmit me të cilët shumë shpejt do të fillohen bisedimet konkrete.

Karlo Ançeloti është emri që preferojnë të gjithë por nëse ai do të zgjedhë të mos marrë drejtimin e ekipit në pritje të një klubi të madh, atëherë shumë i mundshëm bëhet edhe kthimi i Antonio Kontes. Ndërkohë, një kandidaturë tjetër për të mos u hedhur poshtë është ajo e Roberto Mançinit, i cili vetëm një ditë më parë u shpreh i gatshëm në mediat italaine për të marrë këtë detyrë.

Deri në zgjedhjen e trajenrit, këtë post do ta mbajë përkohësisht Xhixhi Di Biaxhio. Tekniku aktual i U21 të Italisë do të drejtojë të kaltrit në miqësoret e planifikuara kundër Anglisë, Argjentinës, Francës dhe Holandës, nga marsi në qershor.