TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Italia ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt rikthimit të energjisë bërthamore. Senati italian ka miratuar të mërkurën një ligj që krijon mundësinë për rikthimin e programit bërthamor në vend, gati katër dekada pasi katastrofa e Çernobilit ndikoi në braktisjen e energjisë bërthamore nga Italia.
Ligji u miratua me 81 vota pro, 51 kundër dhe shtatë abstenime, shkruan AP.
Për qeverinë e kryeministres Giorgia Meloni, miratimi i këtij ligji përbën një hap të rëndësishëm drejt forcimit të sigurisë energjetike të vendit dhe përmbushjes së objektivave klimatike.
Ligji, i cili ishte miratuar më herët edhe nga Dhoma e Deputetëve, krijon kuadrin ligjor për përdorimin e teknologjive të reja bërthamore në Itali.
Tashmë, qeveria do të ketë 12 muaj kohë për të nxjerrë rregulloret zbatuese. Këto rregullore do të përcaktojnë procedurat për licencimin e reaktorëve, standardet e sigurisë, mënyrën e menaxhimit të mbetjeve radioaktive, si dhe kriteret për përzgjedhjen e lokacioneve ku mund të ndërtohen objektet e ardhshme bërthamore.
Me këtë vendim, Italia nis zyrtarisht procesin e rikthimit te energjia bërthamore, pas një periudhe prej gati 40 vitesh.
Energjia bërthamore ishte refuzuar nga qytetarët italianë në dy referendume, pas katastrofës së Çernobilit në vitin 1986 dhe aksidentit bërthamor në Fukushima në vitin 2011.
Miratimi i ligjit nga Senati shënon kështu një ndryshim të rëndësishëm në politikën energjetike të Italisë, ndërsa qeveria synon që teknologjitë e reja bërthamore të luajnë një rol në sigurinë energjetike dhe në objektivat e vendit për reduktimin e emetimeve.