BOTA, 23 September 2026, 17:37

“Ai po bën më të mirën e mundshme!”- Melania Trump flet si rrallëherë për presidentin Donald Trump: Ia them gjithmonë të vërtetën edhe pse ndonjëherë nuk i pëlqen  

“Ai po bën më të mirën e mundshme!”- Melania

Melania Trump e përshkruan bashkëshortin e saj, presidentin amerikan Donald Trump, si një njeri që punon shumë dhe është tërësisht i përqendruar te detyrat e tij si president, duke vlerësuar se ai po bën më të mirën e mundshme gjatë mandatit të tij të dytë.

Duke folur sot, të mërkurën, për Fox News, zonja e parë e Shteteve të Bashkuara tha se Donald Trump “është shumë i përqendruar dhe ka shumë gjëra në mendje”.

Ajo vijoi duke thënë se situata është shumë ndryshe gjatë mandatit të dytë të bashkëshortit të saj, veçanërisht për shkak të asaj që po ndodh tani në botë.

“Mendoj se ai po bën më të mirën që mundet”, u shpreh Melania Trump.

Sipas saj, presidenti amerikan punon pa pushim, ka më shumë energji se kushdo tjetër dhe punon pandërprerë nga mëngjesi deri në pasdite.

Moderatori i emisionit, Brian Kilmeade, siç raporton Daily Mail, vuri në dukje se Trump shpesh i kërkon mendimin bashkëshortes së tij pas fjalimeve dhe intervistave. Për këtë arsye, ai e pyeti Melanian edhe për paraqitjen e presidentit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara një ditë më parë, të martën.

“I thashë se bëri një paraqitje të shkëlqyer, se ia doli shumë mirë. Një fjalim i mrekullueshëm”, tha ajo.

Melania Trump shtoi se gjithmonë i thotë bashkëshortit të vërtetën. 

“I them të vërtetën. Ndonjëherë ai nuk dëshiron të dëgjojë atë që i them, por nuk ka problem. Unë gjithmonë them të vërtetën”, theksoi ajo.

Në një moment gjatë fjalimit të tij, teksa fliste për kërcënimet ndaj Iranit dhe deklaratën se do ta asgjësojë, Donald Trump kërkoi në sallë bashkëshorten e tij dhe e vlerësoi publikisht për rolin e saj në sigurimin e kthimit të shumë fëmijëve të zhvendosur nga Ukraina dhe Rusia.

“Ku është zonja jonë e parë? Ku është? Është diku këtu rrotull. A mund ta imagjinoni? Nuk po e shoh zonjën e parë”, tha Trump.

Melania Trump u tha drejtuesve të emisionit se ka komunikim të drejtpërdrejtë me Rusinë dhe Ukrainën dhe se përfaqësuesi i saj po punon për ribashkimin me familjet të edhe më shumë fëmijëve që janë zhvendosur për shkak të luftës.

Duke folur për të ftuarin e Donald Trump, presidentin kinez Xi Jinping, i cili mbërrin sot në Uashington, Melania Trump tha se presidenti kinez vendosi ta bëjë këtë sepse ata kanë marrëdhënie të shkëlqyera dhe ai po vjen në territorin tonë, ndaj duhet ta presim me respektin maksimal.

Ajo do të shoqërojë bashkëshorten e Xi Jinping, Peng Liyuan, në Smithsonian të enjten, përpara darkës zyrtare që do të zhvillohet në mbrëmje.

Dy çiftet pritet të pinë çaj në Shtëpinë e Bardhë të premten, përpara se të vizitojnë së bashku Arkivat Kombëtare.

Melania Trump ishte e ftuar në Fox News për të prezantuar edhe Imperia, një samit për lidershipin e grave, të cilin organizatorët e kanë cilësuar si “Davosin për gratë në pozicione drejtuese”.

Gjatë intervistës, ajo paralajmëroi gjithashtu një dokumentar të ri, i cili, sipas saj, do të përmbajë “disa pyetje personale, të cilave do t’u përgjigjem dhe që publiku nuk i ka dëgjuar kurrë më parë”.

“Është më shumë një bisedë personale me mua”, tha Melania Trump për serinë, e cila mund të publikohet në nëntor.