AKTUALITET, 27 Dhjetor 2018, 14:07

Institucionet e shëndetit publik në Kosovë dalin në grevë

Institucionet e shëndetit publik në Kosovë dalin në

Prej dy ditësh po mbahet grevë nga institucionet e shëndetit publik në Kosovë. Greva ka nisur të mërkurën dhe po vazhdon ende sot.

Blerim Syla, Kryetar i Sindikatës së Punonjësve të Shëndetësisë, tha për BIRN se nëse qeveria injoron kërkesat e tyre, greva do të ketë vazhdimësi.

“Masat tona do të radikalizohen me protesta në sheshe”, u shpreh ai.

“Ne kemi të drejtën të heqim përparëset e bardha e të shkojmë në shtëpi, nëse shteti nuk na paguan”, shtoi Syla.

Në Kosovë mjekët paguhen 600 euro në muaj. Ata ndihen të nënvlerësuar prej kësaj pagese.

Grevës i janë bashkuar të gjitha njësitë e qendrës klinike universitare të Kosovës, megjithatë rastet e urgjencës vazhdojnë të marrin trajtim të plotë.

Ndërkohë, Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë (PRAK) ka shprehur shqetësim për gjendjen e pacientëve pas hyrjes së stafit shëndetësor në grevë.

Drejtues të saj e konsiderojnë të papranueshme që stafi mjekësor t’i përdorë pacientët si “mish për top” në “luftën” që po bën me qeverinë për rritjen e pagave.