TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi, ka reaguar pas incidentit të ndodhur në përfundim të ndeshjes Elbasani–Vllaznia, ku ai u shfaq në pamje duke goditur me grusht gjyqtarin anësor Ergys Spahiu.
Përmes një reagimi publik, Xhaferi i ka kërkuar ndjesë arbitrit dhe familjes së tij, duke pranuar se veprimi i tij ishte i papranueshëm dhe nuk mund të justifikohet nga tensioni apo presioni i momentit.
“Reagimi im ndaj tij ishte i papranueshëm”, shprehet Xhaferi, ndërsa thekson se çështja me arbitrin është sqaruar në frymën e mirëkuptimit dhe respektit reciprok.
Presidenti i Vllaznisë ka kërkuar gjithashtu falje për publikun dhe familjet shqiptare që kanë parë pamjet e incidentit, duke nënvizuar se një sjellje e tillë nuk përfaqëson vlerat e tij.
Megjithatë, Xhaferi ka deklaruar se kërkimfalja për incidentin nuk ndryshon qëndrimin e tij ndaj problemeve që ai pretendon se ekzistojnë në futbollin shqiptar. Ai ka kritikuar sistemin dhe i është drejtuar presidentit të FSHF-së, Armand Duka, me kërkesën për më shumë transparencë, drejtësi dhe kontroll në futbollin shqiptar.
“Beteja ime nuk është dhe nuk do të jetë kundër individëve”, deklaron Xhaferi, duke theksuar se do të vijojë të ngrejë zërin për ato që i konsideron padrejtësi në futboll.
Në fund, ai pranon përgjegjësinë për veprimin e tij, duke theksuar se ka gabuar dhe se kërkimfalja është mënyra e duhur për të reflektuar pas incidentit.