TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Prokuroria ka zgjeruar hetimet pas sulmit me thikë ndaj Denis Bajrit në ambientet e burgut të Fierit. Në kuadër të hetimit, janë sekuestruar librat e hyrje-daljeve të institucionit, ndërsa në fokus janë takimet e Denis Bajrit, Aldo Gjinit dhe Jurgen Zotos gjatë muajve të fundit.
Gazetarja Xhensila Kodra raporton se pritet të merren në pyetje personat që kanë pasur takime me tre të dënuarit, me qëllim zbardhjen e rrethanave dhe të dinamikës së ngjarjes.
Paralelisht, janë marrë edhe pamjet e kamerave të sigurisë së burgut të Fierit, për të verifikuar lëvizjet e palëve, si dhe veprimet e zyrtarëve dhe efektivëve të planifikuar për garantimin e sigurisë në regjimin e brendshëm.
Jurgen Zoto, në praninë e Aldo Gjinit, sulmoi Denis Bajrin me një thikë të improvizuar. Gjatë përleshjes, Bajri dhe Zoto morën dëmtime në trup dhe të dy u transportuan për ndihmë mjekësore në spital.
Pas ngjarjes, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve po analizon të gjitha elementet e sigurisë në burgun e Fierit. Ndërkohë, 8 efektivë të Policisë së Burgjeve janë pezulluar nga detyra dhe po hetohen për shpërdorim detyre.
Denis Bajri akuzon kundërshtarin e tij të përbetuar, të shumëkërkuarin Ibrahim Lici, se urdhëroi sulmin ndaj tij brenda qelisë së burgut të Fierit.
Gjatë dëshmisë së dhënë para hetuesve Bajri, ka pretenduar se Jurgen Zoto e sulmoi me porosi të Licit, madje para se ta sulmonte i kishte dhënë një telefon për të folur me Ibrahim Licin. Ky i fundit, sipas Bajrit, e kishte kërcënuar me fjalët ”jeta jote kaq e pati”.
Denis Bajri, i konsideruar person me rrezikshmëri të lartë, akuzohet nga SPAK për vrasjen e Gjin Ndojit. Ndërsa Jurgen Zoto mbahet në burg për vjedhje me dhunë dhe armëmbajtje pa leje.
Pas kësaj ngjarje, për të tre protagonistët u vendos transferimi i tyre në burgje të tjera.