IDE, 24 Prill 2024, 11:34

Pse RAI3 i është qepur pas qeverisë së Edi Ramës

Pse RAI3 i është qepur pas qeverisë së Edi Ramës

Që dokumentari i prillit 2024 në RAI 3 nuk është “rrufe në qiell të pastër”, por një Déjà vu e medias publike italiane me qeverinë e Shqipërisë, nuk është vështirë të provohet.

Mjafton të happen arkivat e pak viteve më parë, më saktë ato të 5 viteve më parë dhe del një film i parë. Një “film’ që rrëzon alibinë e kryeministrit Rama se sulmet e kësaj medieje italiane që përfaqëson të majtën në Itali bëhen për të goditur kryeministren e ekstremit të djathtë Giorgia Meloni dhe me këtë rast e pëson Shqipëria, duke ia nxirë imazhin e ndritur që kjo qeveri paska ngritur me thonj në këto 11 vite qeverisje të vendit më të varfër dhe më të korruptuar të Evropës.

Dhe nuk janë marrë vetëm me krimin dhe drogën, por edhe me autoritarizmin që ka mbjellë qeveria dhe në një kronikë të janarit 2020 thuhej me habi se në Shqipëri, informacioni përcillet përmes televizionit personal të kryeministrit të quajtur "Edi Rama TV", dhe se gjithashtu media shqiptare është në pronësi të katër familjeve të lidhura me politikën, ato media që sot u bëjnë lavazh truri shqiptarëve.

RAI 3 nuk është armik i Shqipërisë dhe shqiptarëve, përkundrazi, ka një dashuri të madhe për shqiptarët e ndershëm, siç e tregon edhe reportazhi i vitit 2018, transmetimi i të cilit do të çudiste edhe vetë kryeministrin Rama që ndante me ndjekesit e tij ne FB, kronikën që RAI3 i kushtonte shëndetësisë shqiptare, me protagonist kyesor kardiokirurgun e njohur, Altin Veshti.

Ja dhe një kronologji e fakteve:

Më shkurt 2019 "Rai 3" i kushtoi një kronikë Shqipërisë për mafian shqiptare dhe mënyrat si ajo po pastron paratë. Gazetarët italianë intervistuan gazetaren Klodiana Lala që shprehet se “Shqipëria sot ndodhet në kushtet kur nuk flitet më vetëm për bashkëpunim të politikanëve me segmente të krimit, por sot, sipas saj, mafia ka hyrë edhe në parlament”.

 “Në Shqipëri kanë hyrë shumë para nga trafikimi i jashtëligjshëm, si droga dhe prostitucioni. Një pjesë e mirë e ndërtimeve të bëra në vend kanë ardhur si rezultat i këtyre të ardhurave”. Ky është citimi i gazetares së kronikës, Klodiana Lala gjatë një interviste për televizionin italian Tg3.

Ish-ministri i Brendshëm i qeverisë aktuale të Edi Ramës akuzohet për trafik ndërkombëtar droge dhe favorizim të klaneve të këtij spektri, sidomos kushëririn e tij Moisi Habilaj, sot i dënuar nga Gjykata e Katanias. Pak ditë më parë, Prokurori i Antimafias Italiane mbërriti në Tiranë dhe zbuloi se mafia është investitori më i madh në ekonominë shqiptare”-thuhet ne kronikë.

Në korrik 2019 publikohet një tjetër dokumentar “bombë” me 5 seri të RAI 3 të quajtur “Narcotica” i realizuar nga gazetari investigativ Valerio Cataldi dhe që zbulon linjën e re të trafikut të kokainës nga Kolumbia në Meksikë deri në Shqipëri. Seria e parë u publikua në 27 korrik në RAI 3. Seriali thoshte se nuk kanë qenë të pakta rastet kur në Shqipëri është sekuestruar kokainë që vinte nga Kolumbia. Rasti më i bujshëm është ai i kapjes në Durrës së 613 kg kokainë e fshehur në konteinerët e bananeve. Vlen për tu përmendur edhe laboratori i Xibrakës ku përpunohej kokainë e ardhur nga Amerika Latine dhe ku u kapën edhe 2 kolumbianë.

Më 7 gusht 2019, në ora 23. 20 u shfaqet pjesa e tretë e dokumentarit italian të Rai3 ‘Narcotica’ ku flitet për trafikun e drogës në Shqipëri. Prokurori i antimafias Nicola Gratteri tregoi për Rai3 se një e treta e vendit ishte e mbjellë me kanabis. ‘Me kanabisin, shqiptarët sjellin në Itali edhe kokainën. Drogën e fortë shqiptarët shkojnë dhe e marrin vetë në Amerikën Latine’, tregonte prokurori i antimafias, duke folur për dokumentarin ‘Narcotica’.

Nicola Gratteri ka hedhur akuza ndaj qeverisë shqiptare. Sipas tij, mafiozët shqiptarë janë të paprekshëm në vendin e tyre.

‘Në Shqipëri ata janë të paprekshëm. Bëhen të pasur, bëjnë krime. Mafia në Shqipëri ka mbështettje dhe mbrojtje nga të gjitha nivelet e qeverisë nga ata më të ulëta e deri më të larta’, është shprehur Gratteri për ‘Narcotica’.

Sipas tij, mafia shqiptare tani është shumë e fortë edhe në Itali, pasi në Shqipëri ajo është njësh me shtetin.

‘Ne (italianët) nuk duhet që të shqetësohemi vetëm për mafian tonë, por duhet të shqetësohemi shumë edhe për shqiptarët. Ata janë bërë të frikshëm’, është shprehur Prokurori i antimafias Nicola Gratteri.

‘Vetëm në një goditje kemi kapur 9 ton kanabis në Otranto’, tregon Gratteri.

Në dhjetor 2019 Rai3 dhe emisioni “Fuori TG” i dedikuan një emision të plotë asaj që po ndodh me mungesën e lirisë së fjalës në Shqipëri. Në një lidhje telefonike gazetari italian, Valerio Cataldi, i cili ka bërë emisionin mbi trafikun e drogës në Shqipëri dhe për përfshirjen e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri në të tregoi eksperiencën personale duke u shprehur se përveç kërcënimeve, faktet e transmetuara janë quajtur “fake news” nga vetë kryeministri Rama.

“Ne kemi realizuar një emision special për narkotrafikun me 5 pjesë dhe njëra prej tyre iu dedikua Shqipërisë dhe që u transmetua këtë verë. Pjesa për Shqipërinë tregonte situatën atje sa i takon narkotrafikut se si mafia shqiptare ka marrë forcë dhe tregonte se si politika ishte e përfshirë në hetime dhe në çështje të narkotrafikut.

Kur publikuam emisionin ishte vetë kryeministri që shkruante në Facebook gjëra të tmerrshme. Shkruante se ishim gënjeshtarë, që ishin të gjitha gjëra të shpikura, që nuk ishin të vërteta. Pas këtik komenti të dhunshëm të kryeministrit mora kërcënime edhe me vdekje, madje. Në drejtimin tim erdhën fyerje të vazhdueshme edhe në drejtim të emisionit tonë që akuzohej se kishte fabrikuar fake news” – shprehej Cataldi.

I njëjti gazetar rikthehet dhe në janar 2020 bën një investigim tjetër.

“Nis sot udhëtimi ynë sot në Shqipëri që është gjithmonë e më shumë në darën e narkotrafikantëve. Vendi në portat e Italisë dhe Europës, është në tratativa për të hyrë në Bashkimin Europian, një shpresë më shumë për shoqërinë civile për tu çliruar nga makthi i kriminalitetit” – thotë spikerja e RAI3 e cila prezanton në këtë mënyrë të fortë një reportazh të përgatitur nga gazetari Valerio Cataldi, që edhe më herët ka trajtuar këto tema.

“Është rritur me 1200% ose 12 herë mbjellja e kanabisit”,-thuhej në kronikën që sjell edhe disa foto nga ajri të Guardia di Finanza në një raport të rezervuar të policisë.

Videon e publikuar nga RAI 3 mbi kanabisin në Shqipëri dhe shtimin e kultivimit të tij Rama e konsideronte si një turp gazetaresk, pa asnjë lidhje me realitetin e monitoruar nga Guardia di Finanza.

Në një reagim në tweeter, më 27 janar 2020, Rama thotë se pret që partnerët ta thonë vetë pa humbur kohë të vërtetën mbi kanabisin në Shqipëri.

”Lajmi i mbrëmshëm në RAI 3 mbi gjoja 12 fishimin e kultivimit te kanabisit në Shqipëri është një turp gazetaresk, pa asnjë lidhje me realitetin e monitoruar dhe çertifikuar nga vetë Guardia di Finanza! Uroj që partnerët tanë të shkëlqyer ta thonë vetë pa humbur kohë të vërtetën!”- shkruante Rama.

Nuk vonoi përgjigjja e RAI3 dhe premtes gazetarët italianë i kthyen këtë përgjigje.

“Folëm për BREXIT, por ka edhe nga ata që duan të hyjnë në Europë, Shqipëria. Por unioni i kërkon të bëjë hapa përpara në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në udhëtimin tonë atje ne kemi folur për një rritje masive të plantacioneve të marijuanës, numra që policia shqiptare i mohon, por ndryshe nga e kaluara nuk ka nxjerrë të dhëna zyrtare. Ne, në bazë të burimeve tona, i konfirmojë shifrat qe kemi nxjerrë. Sot do të shohim se si Shqipëria kërkon të afrohet me standardet evropiane në sektorë të tjerë që janë drejtësia dhe liria e shtypit” – thuhet në prezantimin e kronikës.

Në fillim të shkurtit 2020 “RAI3” vijon t’i kushtojë kronika trafikut të drogës në vendin tonë. Në kronikën e fundit të transmetuar, “RAI3 flet për historinë e aktpronësie në bregdetin e Vlorës, ku përfshihet edhe një gjeneral italian të Guardia Di Finanza dhe drejtues i INTERPOL.

Në kronikë thuhet se ish-gjenerali italian, pas daljes në pension, është drejtues i një shoqate kulturore italiane që operon ën vendin tonë dhe se kësaj shoqate i janë dhuruar 30 mijë metër katrorë tokë në bregdetin e Vlorës.

“Si është e mundur që në dokumentin e aktdhurimit janë dy emra mjaft të njohur të botës së krimit. Po për Gjeneralin italian Lisi në atë kohë kur është bërë aktpronësia ata nuk figuronin të tillë. Noteri ka verifikuar aktin e asgjë nuk është bërë në mënyrë të paligjshme në atë terren, thotë ai. E nëse ka gjëra jo të qarta ne jemi pala e dëmtuar.”, shprehej gazetari.

Kjo më sipër është një përmbledhje shumë e shkurtër e kronikave të RAI 3 kushtuar krimit shqiptar dhe reagimeve mohuese të qeverisë së Edi Ramës. Ajo që po ndodh sot është vetëm një përsëritje e një kronike të shkruar 5 vite më parë dhe që rikthehet sot me personazhe që janë në kupolën e qeverisjes, te bosët e krimit që janë 5 vite më me pushtet, më me eksperiencë dhe padyshim 5 vite më të pasur se atëherë kur, sipas logjikës së Ramës, niste urrejtja e RAI 3 ndaj Melonit për përbaltur Shqipërinë, edhe pse atëherë Meloni, një nga qindra deputetët italianë të ligjislaturës së 18-të, as në ëndërr nuk do ta kishte parë të kishte zyrën në Palazzo Chigi.