IDE, 17 Prill 2024, 13:06

Ariu rus në kafazin tonë të vogël

Ariu rus në kafazin tonë të vogël

Edi Rama po ysht shumicën e tij parlamentare drejt një beteje të re me mullinjtë e erës. 73 kartona jeshilë socialistësh miratuan një komision të posaçëm për të kontrolluar influencën e fuqive të huaja mbi demokracinë shqiptare, ose thënë më troç, ndikimin e parave ruse mbi mediat, politikën apo rrjetet sociale.

Deputetët që e ngritën këtë alarm e paraqitën atë si një problem urgjent. Vetë Rama publikoi një status ku kërkonte ecjen me shpejtësi në këtë rrugë. Kryeparlamentarja Nikolla i dërgoi një letër diplomatit të lartë amerikan, James Rubin, i cili mbulon këtë fushë në vendin e tij, për të folur përpara kuvendit për të njëjtën çështje. Ndërsa Top Channel, në ekranin e të cilit rilindasit infiltrojnë të gjitha lajmet pa burim, njoftoi se në skanerin e komisionit të sapo ngritur do të kalojnë mediat on line, për të cilat shërbimi sekret ka të dhëna që financohen në mënyra të errëta.

Pra, sa hap e mbyll sytë, nga hiçi, u shpik një kërcënim që askush nuk e pati parë.

Duhet thënë që në fillim dhe troç se kjo është një fortunë në gotë. Asgjë nga ato që dimë deri më tani nuk e justifikon ekzistëncën e një komisioni të tillë. Partia në pushtet pretendon se ajo ka marrë si model komisionin e posaçëm dhe rezolutën që miratoi Parlamenti Europian për këtë çështje. Por rasti shqiptar me atë të Strasburgut, ndryshojnë si nata me ditën. Deputetët evropianë gjetën me prova dhe fakte kolegë të tyre që kishin mbajtur lidhje të drejtpërdrejta me Moskën. Kështu ekologjistja letoneze, Tatjaa Zdanoka, u zbulua nga një media e pavarur ruse se ruante kontakte me oficerë të shërbimit sekret FSB. Nga ana tjetër, kryeministri belg ka folur për disa të zgjedhur në parlamentin e Strasburgut që kanë lidhje të dyshimta me Kremlinin. Po ti shtosh këtyre edhe faktet se portale, si ai çek “Voic of europe”, financoheshin për të bërë propogandë kundër Ukrainës dhe për të ndalur mbështetjen luftarake ndaj Kievit, shqetësimi evropian përligjet.

Por ama në Bruksel dhe Stasburg fillimisht panë indiciet dhe më pas u angazhuan për hetimin e tyre. Ndërsa tek ne, në Shqipëri, të tilla mungojnë krejtësisht, nëse kemi aq respekt për veten sa të mos marrim seriozisht inskemimet qesharake të grupimit Rama – Duçka – Neza – McGonigal.  

Pra ne jemi e kundërta e shembullit ku pretendojmë se po mbështetemi. Ne po nisim një hetim pa indicie. 

Por ky nuk është dallimi i vetëm. Tashmë është e provuar se Rusia ka nisur një fushatë dizinformimi në perëndim, për të përçarë vendet e NATO-s dhe BE-së, për të diskredituar sanksionet kundër saj dhe për të mpakur mbështetjen ushtarake kundër trupave ukrainase në terren. Efektet janë të njohura. Berlini dhe Parisi kanë edhe deri ish – kryeministra të paguar nga oligarkët pranë Putinit, pa përmendur këtu politikanë dhe deputetë, sidomos të partive populiste, që bëjnë thirrje për braktisjen e Kievit.

A ndodh kjo në Shqipëri? Do të dukej qesharake edhe vetëm po ta supozoje. 

Këtej nga anët tona jo që nuk ka asnjë forcë politike, por nuk ekzistojnë as individë që të bëjnë, për shembull, thirrje për dalje nga Aleanca Atlantike. Si për ironi të fatit edhe e veja e diktatorit, Nexhmije Hoxha e mbylli jetën e saj si idhtare e NATO-s.  

Këtu askush nuk e çon nëpër mend një ndryshim kursi, përpos atij të pranimit një ditë në Bashkimin Evropian. Madje shumëkush mburret me krenari se jemi vendi më pro BE në kontinent. 

Po le të vijmë tek konflikti mes Moskës dhe Kievit. A është dëgjuar ndonjëherë ndonjë zë që i jep të drejtë qëndrimeve të Moskës për Krimenë Donbasin apo naziskinët mbështetës të Zelenskit? Natyrisht që jo. Madje shpërfillja është aq e madhe sa ka një përtaci intelektuale qoftë edhe për të njohur qëndrimet dhe tezat e diplomacisë ruse.

Atëhere kur është ndikimi i rublave? Ku preket ai në sferën publike? Ku e kanos ai shoqërinë tonë?

Nëse vërtet duhet folur për një rrezik të tillë, ai duhet kërkuar tek servilizmi i atyre që shtiren si “pro amerikanë” dhe aspak tek një fabul e paqenë. 

Në Shqipëri nuk gjendet asnjë shenjë e influencës ruse. Pikërisht për këtë, ngaqë socialistët po ngrejnë një komision të posaçëm, duke manipuluar për thelbin e tij, kjo tentativë i ka dhënë krahë edhe hipotezave nga më ogurzezat. A mos është kjo një përpjekje e re për intimidimin e mdediave, pasi qeveria dështoi me paketën anti shpifje? Apo ndoshta vallë është një nismë për të shpikur një version të ri të opozitës së rublave? Për të vajtur më tej: a është rastësi që mandati i komisionit shtrihet deri në zgjedhjet e ardhshme? 

Askush nuk mund të vërë bast për qëllimin e vërtetë të nismëtarëve.

Këto pandehma do të qëndrojnë të gjitha në ajër, për sa kohë që këtu po ndërtojmë një kafaz imagjinar për ariun e largët rus. Por një gjë ama kuptohet me siguri: ata që kërkojnë të na trembin me një rrezik të paqenë, kanë me siguri një qëllim të mbrapshtë.