IDE, 11 Janar 2026, 14:05

Me vezë dhe domate, Doktor? Më mirë t’i qëllojnë ministrat me m*t

Me vezë dhe domate, Doktor? Më mirë t’i qëllojnë

Doktor, e ke bërë refren këtë thirrjen që populli t’i qëllojë me vezë dhe domate ministrat që shkojnë gjoja për të inspektuar banorët e përmbytur.

Dakord, Doktor. T’i qëllojnë ministrat, por pse jo edhe zëvendësministrat, drejtorët, deri te punëtorët patronazhistë që marrin një lopatë dhe shkojnë për të bërë foto propagande dhe jo të ndihmojnë të përmbyturit.

Po pse me vezë dhe domate?!

Janë shtrenjtë, Doktor! Se ti, ngaqë merresh me këto pazaret e mëdhaja të politikës së lartë, nuk i di prej 35 vitesh çmimet në pazarin e vogël, por sot veza, më e lira shkon 12 lekë dhe më e shtrenjta 40 dhe domatja nga 120-200 lekë. Dhe populli opozitar dhe ai i përmbytur nuk ka mundësi, sepse i pari ka 13 vite në opozitë dhe tjetri s’di ku ka kokën këto ditë nën ujë.

Aaaa nëse ua gjen pa lekë te Goni i vezëve që ke në koalicion, apo domatet te Fiqua i Fatmirit dhe te kapanonet e Klodit, ndryshon puna. Vij edhe unë dhe “marr edhe Validenë”, siç thoshte Selam Musai. Por edhe këtu, kam frikë që do të qëllojnë nja dy dhe të tjerat do t’i çojnë në shtëpi se fukarallëk, maskarallëk.

Pastaj këta të pushtetit po i gjuajte me vezë dhe domate, kan rrezik t’i hanë ato ç’ka mbeten në rroba e bien në tokë, se janë, siç thua ti, lubi, lubi dhe kështu na mbeten nëpër këmbë ditë-natë.

Këtë sport të rëndë është më mirë t’ua lësh Mulit, Klevisit, Albanës, Luçianos, apo Joridës, që nesër mbrëma dhe çdo të hënë kur bëni pelegrinazhin  e Foltores, të qëllojnë “kreun e narkosit” me vezë dhe domate, se kanë mundësi t’i blejnë me 5 mijë euro që marrin në muaj si deputetë.

Ndaj, them se më mirë t’i qëllojnë ministrat, drejtorët, apo punëtorët-patronazhistë me mut. Është badihava dhe ka kudo, sepse këto 35 vite muti është bërë kala dhe, siç thua ti Doktor, Rilindja e ka bërë mut Shqipërinë prej vitit 2013, kur të rrëzuan ty dhe i morën për vete të gjitha. Ai tani ka dalë sheshit, ka zaptuar bodrumet dhe katet e para të ndërtimeve, rrugët, oborret. Po pëlcasin haletë e administratës, gropat septike të resorteve nga Gjiri i Lalzit në Ksamil. Plot është edhe te selia jote Doktor, se dhjetra njerëz vijnë vërdallë aty, edhe pse asnjëherë s’e kam marrë vesh se çfarë bëjnë.

Pastaj t’i qëllosh me mut qeveritarët është modë nëpër botë. Jelekverdhët dhe fermerët e Francës së pasur mbushin botet me mut dhe me to spërkatin muret e ministrive sa herë ka protestë dhe kjo i shkon për shtat edhe staturës tëndë si frankofon. Dhe tjetra, ka një simbolikë të veçantë hedhja e mutit edhe për ata llapaqenët e Lulit që thonë se ia ke bërë mutin opozitës dhe shpirtit opozitar, se plumbi del me plumb, Doktor, edhe pse në këtë rast është thjesht mut.

Ndaj merre në konsideratë këtë sugjerim. Do të kesh sukses të paparë. Aq shumë sa s’do kesh nevojë që të bësh protestën kombëtare të 24 janarit, se deri në atë ditë qeveria do të jetë bërë mut dhe do të ikë nga sytë këmbët nga “revolucioni i mutit”.