IDE, 5 Shkurt 2026, 18:40

Me kuç e me maç për të parë Trump-in, me paratë tona

Me kuç e me maç për të parë Trump-in, me

Prej gati një jave, dhjetra deputetë, me në krye spikerin e Kuvendit të Shqipërisë, janë turrur në Washington D.C. për të qenë në një sallë me presidentin e botës, Donald J. Trump, në "Mëngjesin e Lutjeve".

Prej disa ditësh rrjetet sociale, kanalet e komunikimit janë mbushur me njoftime, foto dhe video që rrëfejnë se si eglendisen deputetët 5 mijë eurosh (vetëm rroga) në kryeqytetin e SHBA-ve.

Peleshi hedh një kolazh fotosh qiri në këmbë kur në eter hidhet himni kombëtar amerikan dhe më shumë ka foto të Trump-it se të vetes; ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali që nuk zhgënjen me vanitetin e saj, në çdo post që merr, vendos veten si miss Shqipëria dhe pastaj presidentin Trump si mister Bota.

Rrotë më rrotë edhe deputetët e PD-së që kanë shkuar aq shumë sa nuk dihet kush ka mbetur në Tiranë. Jorida Tabaku hedh një foto me prokuroren e Përgjithshme, Pam Bondi dhe imazhi shitet si “bisedë e shkurtër”; Klevis Balliu gjen një qoshe afër dritares dhe shkruan gjerë e gjatë: “Ishte kënaqësi të takohesha me kongresmenin Pete Sessions, me të cilin diskutuam mbi kapjen e drejtësisë në Shqipëri dhe përdorimin e saj nga qeveria si armë për të goditur kundërshtarin politik. Gjithashtu, në këtë takim u diskutuan problemet serioze të demokracisë në Shqipëri, si dhe përdorimi i karteleve të drogës në proceset elektorale”, fjalë me të cilat nënkupton se ka folur shumë me burrin në moshë.

Që në mëngjes sot u shpërnda me ngut lajmi se kreu i PR-së, Fatmir Mediu, që në Shqipëri bëhet lajm vetëm kur shkon në SPAK si i pandehur për masakrën e Gërdecit dhe në Uashington D.C. se bën takime politike, paska organizuar Forumin e Sigurisë me temë “Investimi 5% në Mbrojtje dhe Partneriteti me SHBA-në”.

Dhe njoftime të tjera nga deputetët e PD-së, Belind Këlliçi, Albana Vokshi, Gazment Bardhi, Ivi Kaso, Besart Xhaferri, duke transmetuar info se sa udhërrëfyese është për ne demokracia në SHBA, se si deputetët e Shqipërisë mëtojnë të ecin në gjurmët e të zgjedhurve amerikanë, se po denoncojnë rregjimin e narkosit…

Dhe nuk kanë guximin të thonë se kanë shkuar atje, në këtë turizëm politik, që paguhet me paratë e taksapaguesve shqiptarë, vetëm për të qenë në një sallë me Trump-in, për ta parë nga afër, për ta dëgjuar, për t’i bërë vetë një foto, siç kanë bërë me ekzaltim Niko dhe Elisa, se nuk është herezi.

Kaq e thjeshtë është. Po aq e thjeshtë sa ironia e fatit, që ndërsa ata janë atje,  Berisha është në Tiranë…