IDE, 21 Janar 2026, 10:46

Shkatërrimi i Bibliotekës Kombëtare

Shkatërrimi i Bibliotekës Kombëtare

Librari dhe autori britanik Richard Ovenden shkroi pak vite më parë se: “Bibliotekat dhe arkivat janë sot objekte më të çmuara se kurrë, pasi sigurojnë akses falas në dije, krejt kundër nga gjigandët dixhitalë që kërkojnë vetëm fitimin”.

Duket sikur e ka thënë edhe për Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, këtë aset kombëtar që sot është një institucion në zhdukje.

E themeluar në 10 korrik 1920, ajo do të festojë sivjet 106 vjetorin. Duhet të ishte një vit tjetër jubile, por fatkeqësisht më tepër se një shekull më pas, Biblioteka Kombëtare, është në ditët e saj më të zeza.

Po të futesh te bksh.al dhe të shohësh kutiçkat mbushur plotë informacione, katalogime, biblioteka online, kërkimi shkencor, restaurimi  etj, duket gjithçka perfekte.

Por realiteti është i trishtë.

Këto ditë, ka nisur heqja e qindra kutive bananesh të mbushur me libra që prej vitesh dergjeshin kudo nga salla e leximit te çdo skutë, për në një magazinë ku do të prehen deri në një fund tragjik.

Bëhet fjalë për vepra që janë mbledhur aty ndër dekada dhe që janë visare të dhuruara me dëshirë, apo të marra me forcë nga rregjimet, por që janë pasuri kombëtare e vendit.

Gjendja e mjeruar e Bibliotekës Kombëtare është bërë legjendë prej vitesh dhe pamjet e kutive të bananeve të mbushura me libra, qindra libra të dëmtuar nga zjarri apo përmbytja, dhe ankesat e vazhdueshme të drejtuesve të Bibliotekës Kombëtare për mungesë hapësirash dinjitoze, dihen botërisht. Por përgjigjia institucionale ka qenë zero. Biblioteka, edhe pse e shtuar me gati 3 mijë libra çdo vit, është po në ato hapësira, me shërbime të munguara dhe me pasoja të pakthyeshme për librat.

Rreth saj janë me dhjetra ambiente të dhëna me qera nga shteti për kafene, OJF fantazëm dhe madje edhe për klube nate, por vetëm për librin nuk është gjetur hapësirë. Në vend të kësaj zgjidhjeje, aty në atë vend ku e meriton, qeveritë vetëm kanë menduar ta degdisin diku në perfiferi, larg njerëzve, sepse për ta vetëm trualli ka vlerë.

Zhdukja e Bibliotekës Kombëtare nuk do të ishte as e para dhe as e fundit në llojin e vet, sepse që nga viti 612 B.C. kur u babilonasit shkatërruan Biblioteka e Assurbanipalit dhe deri në vitin 2014 kur Biblioteka e Mosulit në Irak u shkatërrua nga ISIS-i, historia ka parë plot barbarizma. Por kjo e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë do të jetë e para dhe e vetmja në llojin e vet, sepse barbari është as më shumë dhe as më pak Ekzekutivi, i cili, për ironi të fatit, drejtohet nga një artist, dashnor librash, ideator i një Kopshti Edeni 5 milionë eurosh në oborrin e selisë, por që ende nuk ka në plan të gjejë një “qoshe” të merituar për pasurinë kombëtare, historike dhe kulturore të Shqipërisë, LIBRAT.