AKTUALITET, 15 August 2026, 22:44

Humbën jetën tragjikisht në aksident, dy motrat përcillen për në banesën e fundit

Familjet Xhepa dhe Hasko kanë hapur dyert e mortit pas humbjes tragjike të dy motrave, Florie Xhepa, 53 vjeçe, dhe Mirela Hasko, 50 vjeçe, të cilat humbën jetën në një aksident tragjik në fshatin Delisufaj të Lushnjës.

Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e 13 gushtit, kur automjeti me të cilin udhëtonin dy motrat, në dalje të fshatit Delisufaj, doli nga ura dhe përfundoi në kanalin vaditës.

Dy gratë nuk mundën të dilnin nga automjeti dhe humbën jetën si pasojë e mbytjes. Trupat e tyre u nxorën nga vendngjarja dhe u transportuan drejt morgut të Lushnjës.

Familja Xhepa, e cila më herët ka banuar në Langhirano të Italisë dhe aktualisht jeton në Casalmaggiore, në provincën e Cremonës, ka bërë të ditur se ceremonia e varrimit të Flories do të zhvillohet në Itali.

Florie Xhepa ka lënë pas dy fëmijët e saj, Marigleni, 28 vjeç, dhe Saba, 24 vjeçe. Tragjedia ka rënduar mbi dy familjet, të cilat po përballen me humbjen e dy motrave në rrethana të dhimbshme.