AKTUALITET, 15 August 2026, 22:05

Diaspora mbush bulevardin/ Nis marshimi në rrugët e Tiranës, thirrjet masive të qytetarëve: Rama jep dorëheqjen

Pas përfundimit të fjalimeve të qytetarëve dhe aktivistëve, protestuesit kanë nisur marshimin në rrugët e Tiranës, në kuadër të protestës së 77-të kundër qeverisë së Edi Ramës.

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” është mbushur me protestues, mes të cilëve edhe një numër i konsiderueshëm qytetarësh nga diaspora, të cilët i janë bashkuar tubimit të sotëm.

Pas fjalimeve para Kryeministrisë, protestuesit kanë vijuar marshimin në rrugët e kryeqytetit, duke shoqëruar lëvizjen me thirrje kundër qeverisë.

“Rama, jep dorëheqjen!”, “Shqipëria kërkon revolucion!”, “Rama në burg, Berisha në burg” dhe “Ju erdhi fundi” janë ndër thirrjet e dëgjuara gjatë marshimit.

Protestuesit kërkojnë largimin e Kryeministrit Edi Rama dhe të qeverisë së tij, ndërsa gjatë tubimit janë ngritur edhe akuza për korrupsion dhe keqqeverisje.

Protesta e sotme shënon ditën e 77-të të tubimeve qytetare në Tiranë, ndërsa pjesëmarrësit kanë deklaruar se do të vijojnë rezistencën deri në plotësimin e kërkesave të tyre.