AKTUALITET, 22 September 2026, 09:02

Hetimet/ Manipuluan kontrollet në favor të Dritan Rexhepit, arrestohen për korrupsion 8 mjekë në Ekuador!

Një strukturë e përbërë nga 7 mjekë dhe një zyrtar i Shërbimit Kombëtar të Kujdesit Gjithëpërfshirës për Personat e Privuar nga Liria (SNAI) dyshohet se ka favorizuar narkotrafikantin shqiptar Dritan Rexhepi Haxhiu, i dënuar në Ekuador me 13 vite burg për vepra penale të lidhura me trafikun e drogës.

Sipas hetimeve, grupi dyshohet se ka përdorur dokumente të falsifikuara, certifikata mjekësore të parregullta dhe madje një gjurmë gishti të riprodhuar në lateks, për të krijuar përshtypjen se Rexhepi po përmbushte detyrimet e vendosura nga drejtësia, edhe pse ai ishte larguar nga Ekuadori.

Një operacion i përbashkët i Policisë Kombëtare dhe Prokurorisë së Përgjithshme të Ekuadorit çoi në arrestimin e tetë personave, të dyshuar si pjesë e këtij rrjeti korrupsioni.

Ministri i Brendshëm, John Reimberg, bëri të ditur se operacioni përfshiu 11 kontrolle të njëkohshme në Guayaquil, Quito dhe Morona Santiago. Mes të arrestuarve janë shtatë mjekë, disa prej tyre ish-punonjës të Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe një punonjës i SNAI-t.

Të dyshuarit po hetohen për vepra të dyshuara penale që lidhen me: krimin e organizuar;  zëvendësimin e identitetit; falsifikimin; përdorimin e dokumenteve të falsifikuara; dëshminë e rreme.

Si dyshohet se u favorizua Dritan Rexhepi

Sipas hetimeve, rrjeti dyshohet se manipuloi procedurat gjyqësore dhe kontrollet penitenciare për të favorizuar Dritan Rexhepi Haxhiun.

Rexhepi ishte larguar nga Ekuadori përmes pikës kufitare të Rumichaca më 7 shtator 2022, duke përdorur një identitet të rremë. Ai u arrestua më pas në Turqi, në nëntor 2023.

Megjithëse ndodhej jashtë Ekuadorit, autoritetet konstatuan se në emër të tij vazhdonin të regjistroheshin paraqitje periodike pranë SNAI-t, si dhe certifikata mjekësore dhe dokumente të tjera që krijonin përshtypjen se ai po përmbushte masat e vendosura nga gjykata.

Sipas ministrit Reimberg, grupi dyshohet se kishte përgatitur dokumentacion të falsifikuar, kishte përdorur firma të falsifikuara dhe kishte krijuar regjistrime të parregullta të prezencës, për të simuluar se Rexhepi vazhdonte të qëndronte në territorin ekuadorian.

Një prej elementeve që tërhoqi më shumë vëmendjen e hetuesve ishte riprodhimi i gjurmës së gishtit. Sipas ministrit, rrjeti dyshohet se kishte përdorur një dorezë lateksi me gjurmën e gishtit të Dritan Rexhepi Haxhiut për të simuluar praninë e tij gjatë procedurave dhe kontrolleve që në fakt nuk ishin kryer prej tij.

8 muaj hetime

Ministri Reimberg tha se operacioni ishte rezultat i më shumë se tetë muajve hetime të zhvilluara nga Policia dhe Prokuroria në kuadër të rasteve që lidhen me vepra të dyshuara penale në sistemin publik të shëndetësisë.

Sipas informacionit zyrtar, të dyshuarit dyshohet se kishin marrë pagesa në këmbim të lëshimit të certifikatave mjekësore të parregullta dhe menaxhimit të regjistrimeve që justifikonin përmbushjen e detyrimeve gjyqësore nga ana e Rexhepit, të cilat në të vërtetë nuk po kryheshin.

Reimberg deklaroi gjithashtu se gjatë kontrolleve janë mbledhur prova të reja, të cilat mund të çojnë në hetime të tjera lidhur me raste të mundshme korrupsioni në sistemin publik të shëndetësisë.

Hetimet mund të zgjerohen

Autoritetet ekuadoriane bënë të ditur se kontrollet nuk kishin për qëllim vetëm mbledhjen e provave për rastin që lidhet me narkotrafikantin shqiptar, por edhe identifikimin e lidhjeve të mundshme me skema të tjera korrupsioni.

Hetimi vijon nën masa konfidencialiteti, ndërsa Prokuroria po shqyrton provat e sekuestruara dhe po përcakton shkallën e përfshirjes së secilit prej personave të arrestuar.

Autoritetet nuk përjashtojnë mundësinë që në vijim të hetimeve të përfshihen edhe persona të tjerë.

I arratisur katër herë nga burgjet, me disa dënime të rënda dhe identitete të rreme, i akuzuar për vrasje policësh, rrëmbimin e Jan Prengës me urdhër nga burgu e trafik ndërkombëtar droge, Dritan Rexhepi, ka lindur 10 prill 1980 në fshatin Velçë të Vlorës, dhe ka përdorur edhe emrat Lulëzim e Gramoz por edhe Dionisopoulos Rexhepi. Ai u ekstradua më 8 janar 2025 në Shqipëri.

46-vjeçari cilësohet si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, ndërsa konsiderohej si një ndër narkotrafikantët më të fuqishëm dhe akuzohet se transportonte drogë nga Amerika e Jugut në Evropë.

Ai dyshohet të ketë qenë vrasësi i parë me pagesë në vendin tonë dhe është dënuar me 25 vite burgim në mungesë për vrasjen e dy policëve në Fushë-Krujë, Arben Keqi e Durim Kasmi në vitin 1998./Expresso.ec