TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Për herë të parë, Tirana ka mbledhur 235 pjesëmarrës nga e gjithë Evropa dhe më gjerë në një konferencë të FBI-së.
Në fokus të diskutimeve mes pjesëmarrësve dhe autoriteteve shqiptare ishte forcimi i bashkëpunimit ndërkombëtar, hartimi i strategjive të përbashkëta dhe rritja e kapaciteteve për të luftuar aktivitetin e grupeve kriminale.
Për Jim Gallagher, presidentin e FBI National Academy Associates, në një botë që po ndryshon dhe zhvillohet me shpejtësi, bashkëpunimi mes vendeve është i nevojshëm për të përballuar krimin ndërkufitar.
“Është një përfitim shumë i madh për të dyja palët. Ne do të shërbejmë dhe do të mbështesim njëri-tjetrin dhe kjo prezencë e dëshmon këtë, sa më e madhe bëhet bota, aq më i madh bëhet dhe krimi. Duhet të jemi të lidhur së bashku, në mënyrë që të luftojmë krimin ndërkufitar”.
Kreu i SPAK, Klodian Braho, e cilësoi bashkëpunimin ndërkombëtar si një çështje prioritare në luftën kundër krimit të organizuar.
“Në Shqipëri kemi bërë përparim në goditjen e krimit të organizuar, kemi fituar njohuri sesi fshehin dhe lëvizin përfitimet grupet kriminale. Për SPAK bashkëpunimi përfshin edhe përgjegjësinë. Një informacion që gjejmë në Shqipëri mund të ndihmojë një hetim në vendin tuaj. Falenderoj FBI dhe partnerët ndërkombëtar për ekspertizën që ndajnë me ne”.
Konferenca që po zhvillohet në Tiranë është e 42-ta e Shoqatës së ish-Studentëve Evropianë të Akademisë Kombëtare të FBI-së.
Mes 235 pjesëmarrësve janë përfaqësues të FBI-së, si dhe punonjës të agjencive të ndryshme ligjzbatuese nga e gjithë Evropa dhe më gjerë.