AKTUALITET, 21 September 2026, 19:26

Rama nga Michigan: Flamingoja u bë figura më popullore e Shqipërisë, sot shqiptarët kërkojnë më shumë

Kryeministri Edi Rama po zhvillon një takim me komunitetin shqiptar në Michigan, në nisje të vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përpara pjesëmarrjes në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.

Në fjalën e tij, Rama u ndal te protesta për flamingon në Zvërnec, të cilën e cilësoi si një shenjë të ndryshimit të qasjes së shoqërisë shqiptare ndaj natyrës dhe zhvillimit.

“Para pak ditësh po lexoja që jo shumë larg nga këtu ku jemi sot, 2 apo 3 vjet më parë, disa gjuetarë patash vunë re për herë të parë një flamingo. Komisioni shtetëror i regjistrimit të shpendëve në Amerikë e certifikoi zyrtarisht praninë e shpendit dhe e quajti një prani jashtëzakonisht të rrallë.

Këtë verë, flamingo u bë figura më popullore e Shqipërisë, doli nga laguna, erdhi në Tiranë, pushtoi bulevardin dhe mori vëmendje në të katër anët e globit. Askujt nuk do t’i kishte shkuar mendja se si një shpend aq i hijshëm, i brishtë dhe i urtë do ta kthente Shqipërinë në një adresë botërore të një debati shumëplanësh për natyrën, zhvillimin, turizmin, trumpizmin.

Përtej këtij të fundit që e globalizoi flamingon e Zvërnecit, pati diçka domethënëse në manifestimin qytetar të protestës së qershorit, që jo vetëm tërhoqi vëmendje, por edhe mbështetjen e shumëkujt. Deri dje natyra dhe gjallesat e saj masakroheshin në Shqipëri si askush në botë dhe askush nuk pipëtinte.

Shqipëria lëndohej në shumë mënyra dhe askush nuk e shihte. Jeta në Shqipëri zhvillohej me idenë se ka dhe më keq. Sot, kur shumë gjëra kanë ndryshuar, shqiptarët po jetojnë me idenë se ka dhe më mirë. Këtë qasje të re të shoqërisë e vulosi ai manifestim. Një shoqëri që kërkon më shumë është një shoqëri që është ngritur, që e ka parë dhe horizontin dhe nuk pranon ta ulë shikimin”, tha Rama në fjalën e tij.

Rama ndodhet në SHBA për të marrë pjesë në punimet e javës së nivelit të lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, ku pritet të mbajë edhe fjalimin e Shqipërisë.

Gjatë vizitës, ai ka në agjendë takime me përfaqësues të politikës, biznesit, organizatave ndërkombëtare dhe me komunitetin shqiptar në SHBA. Michigan është ndalesa e parë e kësaj vizite.